Vende dhe Udhetime

Shqipëria, parë nga një nomade digjitale

Nga Marci Rivera - Nëse ndiqni ndonjë blog udhëtimi ose lexoni lajme udhëtimi, atëherë padyshim që keni lexuar për Shqipërinë.

Ky vend i vogël i vendosur në Gadishullin Ballkanik në Europën Juglindore ka fituar gjithnjë e më shumë vëmendje kohët e fundit për turistët që kërkojnë diçka ndryshe, të përballueshme dhe të bukur.

Nomadët digjitalë gjithashtu e duan atë, dhe për arsye të mirë.

LEXO EDHE:
- Nomadët digjitalë në Shqipëri nuk do konsiderohen rezidentë tatimor për një vit. Do krijohet agjencia për Start Up-et
- Nomadët digjitalë po rrisin kostot e jetesës
- Çfarë pëlqejnë dhe çfarë nuk gjejnë nomadët digjitalë në Shqipëri

Unë kalova pesë muaj në fillim të 2021 duke jetuar në Shqipëri dhe kam zbuluar mjaftueshëm gjëra sa për të shkruar se çfarë më bëri më shumë përshtypje.

Pavarësisht se kam qenë në shumë vende të tjera që atëherë, sa herë që njerëzit pyesin, "cili vend ka qenë i preferuari juaj" apo "cili vend të ka lënë përshtypjen më të madhe", përgjigja është gjithmonë Shqipëria.

Më poshtë po ju rendis disa gjëra që më befasuan më shumë në Shqipëri:

Mbanin premtimet

Gjëja e parë që më befasoi më shumë në Shqipëri ishin njerëzit.

Njerëzit që do të gjeni në këtë vend janë më të mirët, më ndihmuesit dhe më mikpritësit që kam hasur ndonjëherë gjatë gjithë viteve të mia të udhëtimit dhe të jetesës jashtë vendit.

Ju mund të keni dëgjuar njerëzit t'i referohen "Mikpritjes ballkanike" dhe kjo është absolutisht një gjë reale. Njerëzit e Ballkanit mund të duken paksa të vrazhdë, por kjo është thjesht një pamje e jashtme që disa prej tyre kanë ndërtuar gjatë viteve.

Nuk mund t'ju them sa herë kemi ndërvepruar me disa të moshuar që dukeshin të vrazhdë, me të cilët ishim pak të frikësuar t'u afroheshim në fillim, por në fund të bisedës përfunduam duke pirë raki rreth një tavoline me familjen e tyre.

Berati është gjithmonë një zgjidhje e mirë.

Në Shqipëri ekziston një term: BESA, që do të thotë të mbash premtimin.

Kjo është më shumë një mënyrë jetese këtu dhe njerëzit do të bëjnë të pamundurën për t'ju ndihmuar dhe për t'ju bërë të ndiheni të mirëpritur, duke i bërë ata të jenë të besueshëm dhe të mbajnë premtimin.

Për shembull: Një herë morëm një autobus publik për në një qytet tjetër dhe pasi arritëm në destinacion, shoferi kuptoi se nuk ishim të sigurt se ku do të shkonim. Ai nuk fliste anglisht dhe po bërtiste afër nesh dhe kërkonte telefonin tim, e frikshme apo jo?

Pasi mori telefonin tim, ai telefonoi hotelin tonë dhe kuptoi se ku ishte, dhe më pas na mori me vete dhe na shoqëroi deri atje, duke u siguruar që ishim mirë.

Ne mbetëm fjalë për fjalë ‘pa fjalë’ se si ai la punën e tij për të na ndihmuar. Kjo është mikpritja ballkanike për të cilën po flas.

Një sekret jo shumë sekret

Është qesharake sepse shumica e njerëzve me të cilët flas për Shqipërinë nuk kanë dëgjuar kurrë për të dhe duket se të vetmit që e dinë janë turistët e tjerë dhe nomadët digjitalë.

Ndërsa dikur ishte pak sekret, Shqipëria ka ardhur duke u rritur në popullaritet për shumë arsye.

Një çift shqiptar na ndihmoi të hynim këtu kur ishte e mbyllur.

Pasi u bë virale në TikTok kohët e fundit, Shqipëria nuk është më një destinacion kaq top-sekret. Megjithatë, kur mbërritëm në Shqipëri në janar të vitit 2021, u befasuam kur pamë kaq shumë nomadë digjital të tjerë që jetonin tashmë këtu.

Me pak para mund të jetosh mirë

Shqipëria është një destinacion i përballueshëm, kjo është absolutisht e vërtetë dhe shumica e turistëve që vijnë tashmë e dinë këtë.

Erdha në Shqipëri duke e ditur këtë dhe përsëri isha e habitur se sa pak mund të shpenzosh këtu dhe të jetosh rehat.

Apartamenti im në Sarandë kushtonte nën 500 dollarë në muaj dhe kishte pamje nga deti dhe një pishinë, për të mos përmendur wifi me shpejtësi të lartë dhe televizorë smart. Unë kam miq që paguajnë nën 300 dollarë në muaj për apartamentin e tyre, sepse ata bënë disa lidhje të mira lokale, kështu që mund të bëhet.

Shijoni midhjet falas në plazhin e Sarandës.

Ju mund të merrni një birrë për nën një dollar në shumicën e vendeve, dhe ushqimi është gjithashtu i lirë.

Gjithsesi, mund të gjesh edhe akomodime dhe restorante që u japin çmime perëndimore. Shumë njerëzve që njoh iu dyfishua qiraja gjatë verës, kështu që kjo është diçka për t'u zgjidhur përpara se të nënshkruani ndonjë gjë.

Vetëm plazh...

Mirë, le të flasim për plazhet. Shumica e njerëzve që vijnë në Shqipëri në muajt e ngrohtë e bëjnë këtë në kërkim të rivierës shqiptare dhe për një arsye të mirë.

Shqipëria ka plazhet më të bukura që kam parë ndonjëherë. Brigjet shkëmbore krijojnë ujë të pastër kristal dhe perëndimet e diellit janë të pabesueshëm.

Saranda ka disa plazhe përreth saj që mund t'i shijoni, dhe sigurisht, Ksamili po bëhet gjithnjë e më i njohur si i bukur si Karaibet.

Një gjë që duhet kuptuar, megjithatë, është se megjithëse nuk janë aq të mbushura me njerëz sa destinacionet e tjera të njohura europiane, shumë nga plazhet e Shqipërisë janë destinacioni i preferuar për shumë turistë.

U befasova aq shumë që këto vende mbushen shpejt me njerëz dhe çmimet fillojnë të rriten.

Nëse jeni vërtet duke kërkuar për një vend të qetë për të shpëtuar, drejtohuni në veri dhe kërkoni disa qytete më të vogla. Pyesni ndonjë vendas dhe ata ndoshta do të insistojnë që t'i bashkoheni atyre dhe familjes së tyre në një udhëtim (seriozisht).

Pamje perfekte për kartolina

Isha dhe vazhdoj të jem e befasuar se sa e bukur është Shqipëria. Kudo që të shikoni, do të ketë një bregdet që përplaset poshtë shkëmbinjve, ose male dhe gryka, lumenj dhe gjithçka në mes.

Një gjë që nuk mund ta besoja ishte bluja jeshile-blu e pastër e lumit Vjosa që rrjedh nga Greqia në të gjithë Shqipërinë dhe në detin Adriatik.

Nëse keni fatin ta quani Shqipërinë ‘shtëpi’ për një kohë, ka të ngjarë të habiteni kur të shihni se sa e lehtë është të eksplorosh pjesën më të madhe të vendit nëpërmjet autobusëve publikë dhe, natyrisht, duke marrë me qira një makinë.

‘Po’ do të thotë ‘Jo’ dhe ‘Jo’ do të thotë ‘Po’

Ndërsa anglishtja flitet gjerësisht në Shqipëri, gjuha zyrtare është shqipja, e quajtur Shqip. Kur flisni shqip, një gjë që duhet t'i kushtoni vëmendje është se si njerëzit tregojnë ‘po’ dhe ‘jo’.

Po është Po, dhe Jo është Jo. Jo shumë e vështirë, apo jo?

Tani vjen pjesa e ndërlikuar, shqiptarët tregojnë po me një tundje koke, domethënë po thonë Po dhe tundin kokën, që duket dhe tingëllon si Jo për një të huaj.

Kur thonë jo, tundin kokën lart e poshtë dhe thonë Jo. Pak lëmsh apo jo?

Nëse mendoni se është pak konfuze për të lexuar, imagjinoni ta jetoni atë. Ju do të mendonit se do të bëhej më e lehtë, dhe u bë, por edhe pas muajsh, kishte ende shumë situata ku ky ndërveprim shkaktoi një konfuzion.

Fatmirësisht, shqiptarët janë të kuptueshëm dhe të durueshëm me të huajt, kështu që gjithçka është mirë.

Në përfundim, mos më thoni se nuk ju kam paralajmëruar për rakinë se sa e fortë është, por seriozisht, nëse jeni duke kërkuar për një vend interesant dhe unik për të eksploruar, me njerëz të mrekullueshëm dhe kulturë magjepsëse… përgjigjja është gjithmonë Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë