Njerez

Shqipëria në vend të dytë për më shumë leje qëndrimi për të mitur nën 15-vjeç në vendet e BE

Shqipëria është vendi i dytë në Europë me më shumë leje qëndrimi të dhëna për fëmijët nën 15-vjeç, 19%. Në vend të parë është Ukraina me 21%, Shqipëria në vend të dytë me 19%, Rusia në të tretin me 12% dhe më pas Kosova me 10% vjen e katërta.

Sipas Eurostat, vendet që i kanë dhënë më shumë leje fëmijëve shqiptarë janë Greqia dhe Italia, ndërsa kanë shënuar rritje lejet e dhëna nga Gjermania.

Nga 64 mijë leje qëndrimi për herë të parë, për arsye familjare për fëmijët nën 15 vjeç, që kanë dhënë vendet e Bashkimit Europian për shtetet e Europës që nuk janë pjesë e BE-së, 19% e tyre, ose rreth 12.2 mijë ishin për shtetasit shqiptarë. Të dhënat u publikuan nga Eurostat.

Në total, vetëm në vitin 2020, nga vendet e Bashkimit Europian për shqiptarët u dhanë 59.6 mijë leje qëndrimi për herë të parë, numri më i lartë që nga viti 2011.

Në total, numri i shtetasve shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në vendet e BE-së që nga viti 2011 arrin në gati 380 mijë.

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2019 vendet e BE-së lëshuan 276.200 leje qëndrimi për fëmijët nën 15-vjeç jo-shtetas të BE-së.  Midis atyre fëmijëve, 60% ishin të moshës më pak se pesë.

Shtetet anëtare që lëshuan numrin më të madh të këtyre lejeve ishin Gjermania 61.500, e ndjekur nga Spanja 55.300, Italia 41.300 dhe Suedia 24.400.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë