Menaxhim

Shqipëria në fund të Europës për sigurinë e ujit të pijshëm

Nga Gazeta ‘SI’– Shqipëria renditet ndër vendet me cilësinë më të dobët në Europë për sigurinë e ujit të pijshëm dhe pastërtinë e tij.

Sipas të dhënave nga Indeksi i Performancës Mjedisore, Shqipëria vlerësohet me 54.1 pikë në këtë drejtim, duke u renditur ndër vendet me performancën më të dobët në kontinent. Shqipëria performon dobët edhe në krahasim me vendet e rajonit, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut.

Në hartë, Shqipëria paraqitet me ngjyrë blu, shumë pranë ngjyrës së verdhë, e cila tregon nivelin më problematik të cilësisë së ujit.

Indeksi tregon se matjet kryhen përmes numrit të viteve të humbura të jetës së shëndetshme për çdo 100 mijë banorë, të shkaktuara nga ekspozimi ndaj ujit të pasigurt për konsum.

Në tërësi, Europa ka performancë të mirë në këtë indeks, me 19 nga 20 vendet më të mira në botë, përveç Japonisë.

Finlanda, Islanda, Holanda, Norvegjia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar morën rezultatin maksimal prej 100 pikësh për mbrojtjen e shëndetit publik nga uji i pasigurt dhe mungesa e sanitacionit.

Rezultatet më të dobëta pas Shqipërisë u regjistruan në Moldavi dhe Gjeorgji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë