Taksa

Shqipëria ndër vendet me më shumë arkëtime nga taksat mjedisore. Pjesa më e madhe nga fusha energjitike

Sipas publikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria merr nga taksat e mjedisit, 3.3% të PBB-së, duke e renditur vendin tonë më lart se Hungaria, Polonia e Turqia.

Polonia grumbullon vetëm 2.3% të PBB-së taksa mjedisore, ndërsa Hungaria, Turqia , Bullgaria dhe Rumania arkëtojnë rreth 2%. Maqedonia që ka kushte zhvillimi pak a shumë të ngjashme me Shqipërinë arkëton taksa mjedisore vetëm sa 0.7% e PBB-së.

Sipas INSTAT në 2019, të ardhurat nga taksat mjedisore arritën në vlerën e rreth 53 miliardë lekë (430 mln euro) , duke u rritur me 4.4 %, krahasuar me vitin 2018. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat e energjisë.

Nga struktura e të ardhurave të taksave mjedisore, taksat e energjisë zënë pjesën më të madhe të të ardhurave me 84.5%, pasuar nga taksat e transportit 10% , taksat e ndotjes me 5% dhe taksat e burimeve natyrore me 0.1 %.

Të ardhurat nga taksat mjedisore, në vitin 2019, përbëjnë 12.5% të të ardhurave tatimore.

Në Shqipëri, taksat mjedisore janë një lloj sanksion i vendosur kundrejt bizneseve dhe konsumatorëve për minimizimin e ndotjes dhe menaxhimin e hapësirave rrethuese.

Taksat mjedisore në vendi tonë përfshijnë ato të energjisë (duke përfshirë karburantin e makinave) përfshijnë taksat mbi prodhimet e energjisë në vend, si dhe prodhimet e energjisë që përdoren edhe për qëllime të transportit

Taksat e transportit (me përjashtim karburantin e makinave) i referohen kryesisht taksave të lidhura me pronësinë dhe përdorimin e automjeteve. Këto taksa përfshijnë edhe taksat mbi mjetet e tjera të transportit (si avionët, anijet dhe trenat, etj ) dhe shërbimet e tyre.

Taksat e ndotjes përfshijnë emetimet e matura në ajër dhe shkarkimet në ujë, menaxhim të mbetjeve të ngurta dhe zhurmës etj. Përjashtohen këtu tatimi mbi emetimin e CO2, i cili mbulohet nga kategoria taksave të energjisë.

Taksat e burimeve natyrore përfshijnë taksat për nxjerrjen apo shfrytëzimin e burimeve natyrore (ujë, pyje, kafshë të egra, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë