Nga Gazeta "SI" - Gjatë vitit 2021, dërgesat e emigrantëve të ardhura drejt Shqipërisë përbënin 9.4% të PBB-së së vendit.
Nga raporti i Bankës Botërore, Shqipëria është në listën e vendeve me përqindje të lartë të dërgesave nga emigrantët ndaj PBB-së, por në këtë listë ajo renditet e fundit.
Në vend të parë është Taxhikistani, ku dërgesat për vitin 2021 përbënin 34.5% të PBB-së.
Kosova renditet e 3-ta, me 18.7% të PBB-së.
Në shifra, vendin e parë të dërgesave të parave nga emigrantët e mban Ukraina me 18.2 mld dollarë të dërguara nga jashtë.
“Dërgesat nga jashtë përbëjnë burim kryesor financimi dhe një nxitës për rritjen ekonomike në ekonomitë e vendeve në Europën Lindore dhe Azisë Qendrore”,-thekson Banka.
Por, për emigrantët shqiptarë që sjellin para në Shqipëri kostoja është në varësi të shtetit ku ata gjenden.
Shqiptarët që dërgojnë para nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Gjermania përballen me kosto më të larta, ku vlerat ekstra shkojnë në mbi 10% të shumës së dërguar.
Për Europën Lindore, BB parashikon një rënie të parave të dërguara lidhur me marrëdhënien e ngushtë dhe varësinë ekonomike që ata kanë nga ekonomia ruse. Lufta dhe pasojat e saj kanë ulur PBB-në e Rusisë, Rubla është rrëzuar dhe bankat atje janë sanksionuar. Kështu, dërgimet nga emigrantët do të reduktohen. Goditjen më të madhe pritet ta marrë Kirgistani me 34% rënie.
Dërgesat pritet të bien, por jo për Ukrainën
Por e kundërta do të ndodhë me Ukrainën, e cila parashikohet të ketë një rritje me 22% në 2022-shin. Kjo për shkak të largimit të shumtë të qytetarëve ukrainas nëpër vendet e tjera të botës, që nga nisja e luftës. Por edhe nga solidarizimi i vendeve të huaja.
Disa kompani të transferimit të parave kanë njoftuar heqjen e tarifave për dërgimin e parave në Ukrainë. Madje para luftës dhe sanksioneve, kostoja e dërgimit të parave në Ukrainë ishte shumë e lartë
Duke reduktuar tarifat e dërgesave me 2%, ata mund t'u kursejnë emigrantëve ukrainas 400 milionë dollarë në vit. Nëse kostot reduktohen më tej, kursimet mund të jenë edhe më të larta. Ulja e kostove të dërgesave mund të jetë një plotësues efektiv për rritjen e ndihmës për popullin e Ukrainës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.