Njerez

Shqipëria ka përmirësim në Hendekun Gjinor 2023, përveç se në fuqizimin politik të grave

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria renditet në vendin e 17 në botë nga 146 shtete, në Indeksin e Hendekut Gjinor të vitit 2023, të publikuar nga Forumi Ekonomik Global, duke u përmirësuar me një pozicion.

Krahasuar me një vit më parë Shqipëria është përkeqësuar vetëm në treguesin e fuqizimit politik, duke u renditur në vendin e 28-t, nga vendi i 25-t. Në treguesit e tjerë, ecuria ka qenë pozitive.

Gratë shqiptare renditen në vendin e 18 për pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë, nga vendi i 23 të një viti më parë. Për arritjen të arsim renditemi në vendin e 33. Përmirësim ka edhe në treguesin për shëndetin dhe mbijetesën, duke u renditur në vendin e 133, katër pozicione më mirë se 2022.

“Për sa i përket peshës së grave në postet ministrore, 11 nga 146 vende, të kryesuar nga Shqipëria, Finlanda dhe Spanja, kanë 50% ose më shumë ministre femra. Megjithatë, 75 vende kanë 20% ose më pak ministre femra. Më tej, vendet e populluara si India, Turqia dhe Kina kanë më pak se 7% e ministrave që janë gra dhe vende si Azerbajxhani, Arabia Saudite dhe Libani nuk kanë asnjë”, thuhet në raport.

Shqipëria, deri tani, ka mbyllur 80% të hendekut gjinor, nga 91.2% që e ka shteti me më pak diferenca gjinore në botë, që është Islanda dhe 68.4% që është mesatarja globale.

Hendeku gjinor në Shqipëri është më i ulët se të gjitha vendet e rajonit, por lë pas edhe disa vende të zhvilluara të Europës, si Italia, Danimarka apo Spanja. Në rajon, pas Shqipërisë renditen Serbia (38), Mali i Zi (69), Maqedonia e Veriut (73). Kosova nuk përfshihet në indeks.

Islanda vijon të mbajë vendin e parë në botë për të 14 vit me radhë për hendekun më të ulët gjinor mes femrave dhe meshkujve, e ndjekur nga Norvegjia, Finlanda, Zelanda e Re e Suedia. (top 5)

Vetëm nëntë vende kanë mbyllur të paktën 80% të hendekut të tyre: Islanda, Norvegjia, Finlanda, Zelanda e Re, Suedia, Gjermania, Nikaragua, Namibia dhe Lituania.

Raporti nga Forumi Ekonomik Botëror (World Economic Forum, WEF), vlerëson se gratë nuk do të arrijnë barazi me burrat, edhe për 131 vjet të tjera. Me fjalë të tjera, jo deri në 2154.

Hendeku i përgjithshëm gjinor – një matje e barazisë në sferat e ekonomisë, politikës, shëndetësisë dhe arsimit – u mbyll me vetëm 0.3% krahasuar me vitin e kaluar, sipas raportit botëror të hendekut midis gjinive 2023, “Global Gender Gap Report 2023”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë