Futboll

Shqipëria ka një tjetër kampion Italie pas 82 vitesh

Nga Gazeta Si- Prej thuajse 2 vitesh, si pjesë e skuadrës së Interit, mesfushori Kristjan Asllani është kampioni kuqezi i Italisë. Në këto thuajse dy vite, mesfushori i Kombëtares shqiptare ka kontribuar në 39 ndeshje, si zëvendësues kryesisht dhe ka shënuar vetëm një gol. Megjithatë ai është pjesë e suksesit zikaltër, duke u bërë kështu shqiptari i dytë që shpallet kampion në Serinë A, me 82 vite diferencë nga shqiptari i parë që u shpall kampion i Italisë, ai ishte ish-lojtari i Tiranës dhe më pas i Romës, Naim Kryeziu.

Kryeziu që nga periudha e pushtimit të Italisë, në vitin 1939, u transferua në Itali për të luajtur te skuadra e Romës, me të cilën luajti 8 vite dhe në 122 ndeshje shënoi 27 gola, falë pozicionit të tij si sulmues i krahut të djathtë. Në sezonin 1941-1942, ai u shpall kampion i Italisë me skuadrën e Romës. Më pas ai luajti tek Napoli për 5 vite dhe e mbylli karrierën si pjesë e skuadrës së Turris e cila ishte pjesë e një province në kategoritë inferior të futbollit italian.

Një tjetër shqiptar që ka arritur të fitojë trofe në futbollin Italian ka qenë edhe Riza Lushta, pjesë e Juventusit që fitoi kupën e Italisë në sezonin 1941-1942. Në të njëjtin vit me Kryeziun, në vitin 1939, Lushta u transferua në fillim në kampionatin italian, gjithashtu si lojtar i Tiranës, tek Bari. Vetëm pas 16 ndeshjesh, ku shënoi 3 gola, ai u mor nga Juventusi me të cilin në 85 ndeshje shënoi 46 gola. Më pas karriera e tij kaloi në Francë te skuadra e Kanës për t’u rikthyer tek Siena në Itali.

Megjithatë, në epokën e futbollit post-komunist, shqiptarët që kanë luajtur në Itali, por pa fituar trofe, ishin Erjon Bogdani, Igli Tare, Ervin Skela dhe emra të tjerë, të cilët i dhanë emër futbollit tonë në gadishullin Apenin, por kontributi i tyre ishte thjesht në njohjen dhe hapjen e rrugës të lojtarëve të tjerë si Memushaj, Hysaj, Rrahmani, Vojvoda, Bajrami, Ramadani, apo kampioni më i ri i Italisë, Kristjan Asllani, i cili nga sot do të ketë një medalje në qafë dhe një fanellë me 2 yje zikaltër, si simbol i 20 titujve kampion të Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë