Lajme

Shqipëria i përgjigjet Greqisë për Fredi Belerin: Keqardhje! Është i dënuar

Shqipëria i është pëergjigjur Greqisë një ditë pasi shprehu shqetësimin për respektimin e minoritetit grek në Shqipëri, referuar rastit të Fredi Beleri, kandidatura e të cilit u refuzua nga ana e KQZ.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen që vendimi i një institucioni të pavarur dhe kushtetues, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kontekstualizohet si devijim apo zbrapsje e progresit të Shqipërisë në kuadër të mbrojtjes së pakicave.

“Situata lidhur me shtetasin shqiptar Fredi Bejleri është e qartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me votë unanime dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, ka ndaluar kandidimin e tij në zgjedhjet e ardhshme vendore në Shqipëri, referuar faktit se legjislacioni elektoral shqiptar ndalon, për një periudhë 10 vjeçare, kandidimin e personave për t’u zgjedhur në postin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, të cilët kanë qenë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare”, - thuhet në deklaratë.

MEPJ bën me dije se lidhur me respektimin e të drejtave të pakicave, “sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin ata shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim”.

Deklarata vijon se në Shqipëri garantohet e drejta e personave që u përkasin pakicave për t’u vetë-identifikuar si të tillë dhe e drejta e tyre e pronësisë pa diskriminim. “Po kështu, është i garantuar ushtrimi i gjitha të drejtave elektorale të shtetasve që u përkasin pakicave. Mbi këtë bazë, çdo qytetar shqiptar, minoritar ose jo, ka të drejtën t’i drejtohet gjykatave shqiptare si organet kompetente për interpretimin e Ligjit në Republikën e Shqipërisë”, shton MEPJ.

Duke marrë shkas edhe nga raporti i fundit i KE, theksohet se qeveria e Shqipërisë është angazhuar “në mënyrë të pakthyeshme në reformimin tërësor të vendit në të mirë të mirëqenies së të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe konsolidimit të arritjeve të shënuara në drejtim të pesë prioriteteve kyçe për përafrimin me Bashkimin Evropian”

Qeveria shqiptare vlerëson mbështetjen e Greqisë në rrugën drejt integrimit nënvizohet në deklaratë: “Partneriteti strategjik dhe miqësia mes dy vendeve tona, si dhe dialogu i pandërprerë për tejkalimin e çështjeve dypalëshe, përfshi fuqizimin e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi kanë qenë dhe mbeten përparësi e qeverisë shqiptare. Shqipëria beson fuqimisht se vetëm zgjidhjet e bazuara në shtetin e së drejtës dhe kulturën politike evropiane janë me interes vital për të dy vendet”, - përfundon deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë