Politike

Shqipëria i ofron NATO-s një bazë detare

Pas Bazës Ajrore në Kuçovë dhe hapjes së zyrës amerikane të forcave speciale, Shqipëria synon që të ketë edhe një bazë detare të përhershme të NATO-s në vend.

Ideja e bazës detare mbërrin si propozim i vendit tonë dhe jo si kërkesë e Aleancës. Kryeministri Edi Rama deklaroi se për këtë do të hartohet një projekt.

"Tani na takon ne për të pasur një bazë detare të NATO në Shqipëri. Na takon ne t'i japim projektin dhe ai do të jetë avokati më i mirë i Shqipërisë për hapjen e kësaj baze", tha Rama.

Kreu i Qeverisë nuk dha detaje për vendndodhjen e bazës që do t’i ofrohet NATO-s, por në të shkuarën është diskutuar baza e Pashalimanit si një mundësi.

Rama e bëri këtë deklaratë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljes “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, Komandantit të Komandës Operacionale të NATO-s, Gjeneralit Tod Daniel Wolters.

“Forcat e Armatosura janë shprehja më e mirë e rrugëtimit tonë për të mësuar, shoqëruar nga miqtë tanë dhe nëse sot FA kanë shkuar në një nivel që dhe ata më optimistët nuk do e përfytyronin kjo ka ndodhur falë miqve dhe aleatëve tanë amerikan. Ai mbështeti transformimin e bazës së Kuçovës në një bazë të NATO si dhe vend pritës të stërvitjes Defender", deklaroi Rama gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë