Politike

Shqipëria hap dy ambasada në Kiev e Baku dhe dy konsullata në Maqedoni të Veriut e Mal të Zi

Duke folur për projektbuxhetin e vënë në dispozicion të Ministrisë së Jashtme për vitin që vjen, Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Turdiu tha në Komision e Politikës së Jashtme se ky buxhet financon edhe hapjen e 4 përfaqësive të reja në botë.

“Kemi në plan edhe hapjen e dy përfaqësive të reja njëra në Kiev dhe tjetra në Baku. Gjithashtu do të hapen edhe dy konsullata në rajon, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi.  Është në objektivat tona ngritja e përfaqësive, së paku një në Afrikën Subsahariane”, tha Turdiu.

Informacioni që shkëmbehet mes Shqipërisë dhe përfaqësive të saj nëpër botë, ka marrë një rëndësi sidomos pas sulmit kibernetik të bërë nga Irani, për këtë arsye ato po furnizohen me pajisje elektronike të kohëve të fundit, që të shmanget komunikimi me letra.

“Ne kemi 51 përfaqësi, nga të cilat vjet janë furnizuar me laptop 19 përfaqësi, janë kryer edhe punimet sipas të DSIK, BE dhe NATO, për dhomën ku duhet të mbahet laptopi me të cilin kryhet informacioni i sigurt”, tha Ilda Dega Drejtore e Përgjithshme Ekonomike dhe e Shërbimeve Mbështetëse pranë MEPJ.

Ndërsa sekretari Turdiu theksoi se po punohet për të rritur flotën e automjeteve në shërbim të diplomacive shqiptare në vendet e huaja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë