Treg

Shqipëria gati për bastet online, nisin në prill. Kompanive u hiqen taksat (detajet)

Nga Gazeta ‘SI’ - Shqipëria rikthen zyrtarisht bastet.

Në Fletoren Zyrtare sapo është botuar ligji i ri i lojërave të fatit, dekretuar nga presidenti i vendit, me ndryshime dhe nga drafti i fundit.

Fillimisht, ndryshe nga se ishte parashikuar organizatorët e basteve online, nuk do të taksohen, por vetëm do të përmbushin detyrimin e Fondit të Posaçëm, ku do të derdhin 15% të të ardhurave mujore.

Përpos kësaj, ata duhet të ngurtësojnë një fond prej 170 mln lekësh, si formë garancie për lojtarët. 120 mln prej tyre do të kalojnë llogari të ministrisë së Financave dhe do të zhbllokohen vetëm me urdhër të saj. 50 mln do të jenë në llogari të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, AMLF-së, që po ashtu zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit të Financave.

Ndryshime të tjera janë bërë edhe në licencim, ku për ta fituar, aplikuesi ose njëri prej aksionerëve (30% të aksioneve) duhet të ketë përvojë në të paktën 3 shtete të BE/OECD për të paktën 3 vite, në këtë fushë. Njëri prej aksionerëve duhet të ketë gjeneruar të paktën 2 mld lekë aktiviteti në fushën e lojërave të fatit, në vitin e fundit financiar.

Licenca për bastet online dhe bastet për garat në pistë, do të kushtojë 400 mln lekë. Ato do të jenë të aksesueshme vetëm në faqet e licencuara nga Komisioni i Licencave. Për t’u licencuar, shoqëria duhet të jetë e regjistruar në QKB dhe të ketë një kapital prej 40 mln lekësh dhe të deklarojë burimin. AMLF do të japë vetëm 10 licenca në total, me afat 10-vjeccar. Aplikimi në AMLF do të kushtojë 500 mijë lekë.

Ndonëse në ligj theksohet se janë bërë më shumë përpjekje për të mbrojtur lojtarët, është ulur mosha e lejuar për të luajtur dhe punuar, në 18 nga 21 vjeç që ishte më parë.

Nëpunësve të AMLF-së dhe anëtarëve të Komisionit të Licencave, që përbëhet nga Këshilli i Ministrave u ndalohet të luajnë lojëra fati në të gjitha kategoritë e lojës që janë përcaktuar në këtë ligj. Të gjitha pikat e lojërave online duhet të afishojnë anët negative të lojës.

Të gjithë organizatorët do të lidhen me bankat tregtare apo institucionet financiare dhe agjentët financiarë, që do të ndërmjetësojë pagesat dhe tërheqjet në llogari të klientëve dhe organizatorit. Ata hapin llogaritë për lojtarët që më pas mbushet nga ato sipas vlerës që do të luhet me numër ID. Paraja cash nuk do të përdoret më.

Në Fondin e Posaçëm do të derdhin para edhe kazinotë e resort kazinotë, 2.5% të të ardhurave të tyre vjetore. Organizatori i Lotarisë Kombëtare, derdh 10% të të ardhurave vjetore dhe bingot televizive 1.5%.

Për sa i përket reklamave, ato do të lejohen me orare të kufizuara sipas llojit të lojërave të fatit në mediat audiovizive dhe pa orar në mediat elektronike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë