Ekspozite

Shqipëria e viteve ’30 me sytë e diplomatit italian

Ngjarje, njerëz, përditshmëri, peizazhe dhe tradita  të  Shqipërisë së viteve ’30, në sytë e një diplomati është ajo çka ofron ekspozita “Arkivi Fotografik i Pietro dhe Larissa Quaroni”, që çelet të premten e 17 majit në Qendrën për Hapje dhe Dialog në mjediset e kryeministrisë. Ekspozita përcjell një kontekst me interes të madh historik dhe social, imazhe befasuese dhe origjinale, një përshkrim i rrallë dhe unik, veçanërisht i figurave politike dhe i personazheve që kanë dominuar skenën shqiptare të viteve ‘20 dhe ‘30.

Fotografitë janë realizuar nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në ambasadën italiane në Shqipëri. Të pabotuara më parë, 86 fotografitë i përkasin periudhës 1928-1931, shoqëruar nga dy dokumentarë të periudhës së asaj kohe.Për herë të parë prezantohet i gjithë arkivi Quaroni, me mbi 780 fotografi të digjitalizuara për këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më  29 qershor.

Rauf Fico dhe Koço Kotta

Familja Quaroni i ka dhuruar shtetit shqiptar, në formë digjitale, të gjithë arkivin e familjes së saj, me të 780 fotografitë. Të gjitha fotot e digjitalizuara, mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, po në këtë ekspozitë. Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë Arkiva Fotografike Quaroni, “Albania 1928 – 1931” të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj.

“Pietro Quaroni, protagonist dhe dëshmitar i politikës së jashtme italiane të Nëntëqindës,  ka mbajtur në karrierën e tij të gjatë diplomatike detyrat e ministrit të plotfuqishëm të Afganistanit dhe ambasadorit në Moskë, Paris, Bon dhe Londër. Ka qenë edhe president i Rai-t dhe i Kryqit të Kuq italian.

Ka qenë edhe shkrimtar dhe komentator politik, bashkëpunëtor për një kohë të gjatë i “Il Corriere della Sera”. Mes botimeve të tij të njohura janë “Kujtimet e një ambasadori”, 1954, “Valixhja diplomatike”, 1956, “Bota e një ambasadori”, 1965, “Europa në udhëkryq”, 1965 “Probleme të politikës së kohës sonë”, 1966. “Pakti atlantik. Siguria në liri”, 1966, “Rusia dhe Kina”, 1967.

Plazh, Durrës

Në librin “Politika e jashtme e Italisë nga 1914 deri më 1945” , analiza e Quaronit zhvillohet në fakt, nga tentativat e Italisë liberale për të marrë pjesë në shpërbërjen e perandorisë osmane me përpjekjen e regjimit musolinian për të ndërtuar një marrëdhënie bashkëpunimi me Bashkimin Sovjetik dhe për të konsoliduar ekzistencën e një Shqipërie të pavarur, aleate të Romës; nga ambicia italiane për të ndërtuar një rol hegjemonik në Europën qendrore, duke kontrastuar aksin austriak-gjerman, me ëndrrën për t’u bërë Fuqi botërore, duke projektuar gjatë luftës së dytë botërore, shtrirjen e saj drejt Mesdheut oriental, Ballkanit, Lindjes së Mesme, Afrikës veriore.

Përtej gjuhëve perëndimore, Quaroni njeh rusishten, serbo-kroatishten dhe shqipen. Hyri në karrierën diplomatike më 1920-n dhe ishte i destinuar drejt Kostandinopojës, ku qëndroi deri më 1923-shin. Pas dy viteve të tjerë në Buenos Aires, më 1925-n u transferua në Moskë e më pas, më 1931-shin në Tiranë. Më 1932-shin u emërua Shef i Zyrës së Drejtorisë së çështjeve politike të Ministrisë së Jashtme.

Më 1935-n u dërgua si ekspert në Konferencën e Stresës, Njëherazi, në të përjavshmen “Affari Esteri”, shpreh mospëlqimin ndaj politikës së Musolinit, rreth tërheqjes së Italisë nga Shoqëria e Kombeve. Për motiv të tillë, në shtator të 1935-s, u largua nga ministria dhe u transferua fillimisht në Selanik si konsull i përgjithshëm, më pas në Afganistan ( 1936), si ministër i plotfuqishëm italian.

Pietro dhe Larissa Quaroni me kostume tradicionale shqiptare

Qëndroi tetë vite në Kabul, në një pozicion të vështirë dhe të izoluar. Në maj të 1944-s, pas rivendosjes së raporteve diplomatike më Bashkimin Sovjetik të pjesës së qeverisë Badoglio, u emërua ambasador italian në Moskë. Në janar të 1946-s, nga Moska, shprehu disa konsiderata rreth pamundësisë që Italia të marrë pjesë aktive në ndëshkimin e kriminelëve të luftës gjermanë, ndikoi në shmangien e mbështetjes sovjetike ndaj kërkesave analoge të paraqitua nga Jugosllavia, Etiopia, Greqia dhe Shqipëria për të hamendësuarit kriminelë italianë të luftës.

Në një shënim të mëvonshëm në korrik, i shprehu drejtorit të Çështjeve politike, Vittorio Zoppi, keqardhjen për mosinteresimin anglo-amerikan ndaj një dorëzimi të mundshëm të kriminelëve italianë tek kombet kërkuese. Më 30 nëntor të vitit 1946, u emërua ambasador në Paris, ku qëndroi për plot 12 vjet, deri më 13 qershor të 1958-s. Gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Paris ishte këshilltar politik i ministrit të Jashtëm De Gasperi, në negocimin e traktatit të paqes dhe rifutjen e Italisë në jetën ndërkombëtare.

Nga 1958 deri 1961 ishte ambasador në Bon, në Republikën Federale Gjermane dhe, nga 1961-shin deri më 1964-n ambasador në Londër. Më 1964-n, pasi braktisi karrierën diplomatike, u emërua president i Rai-t, duke qëndruar në detyrë deri më 1969-n, më pas i Kryqit të Kuq italian.

 

Më Shumë