Para

Shqipëria, e para në rajon për borxhin dhe e parafundit për vjeljen e taksave

Sabina Veizaj- Një tjetër kambanë bie për qeverinë nga Komisioni Europian në lidhje me borxhin publik dhe nivelin e vjeljes së të ardhurave.

Të dhënat e raportit të fundit të këtij Komisioni për vendet e Ballaknit Perendimor të cilat synojnë integrimin në BE tregojnë se Shqipëria është e para në rajon me borxhin më të lartë publik dhe në lidhje me vjeljen e të ardhurave e parafundit pas Kosovës.

Sipas raportit të KE-së niveli i borxhit publik të Shqipërisë në 2018 në raport me PBB-në është 68, 7 % e ndjekur nga Maqedonia 66, 5% dhe Serbia 62, 8 %. Me borxhin publik më të ulët në rajon rezulton Kosova 17,6 % e PBB-së. Raporti parashikon se deri në 2020 borxhi i Shqipërisë do të bjerë me 5 pikë përqindjeje, por përsëri do të mbetet më i larti në rajon.

Sipas raportit të KE-së, Shqipëria mbledh më pak taksa e tatime nga të gjitha vendet e rajonit përveç Kosovës. Vendi ynë rezulton të mbledhë të ardhura vetëm sa 28.2% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, shumë më pak krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Nivelin më të lartë të vjeljes së të ardhurave në rajon e ka Mali i Zi me 44.2% i ndjekur nga Serbia 42,4% e Bosnje dhe Hercegovina 38,1. Kosova në raport rezulton me vjeljen më të ulët të të ardhurave sa 27,1% e PBB-së. Parashikimet e raportit tregojnë për Shqipërinë se në dy vitet e ardhshme vjelja e të ardhurave do të bjerë me 0,1 pikë përqindjeje të PBB-së.

Por vjelja e taksave dhe tatimeve në Shqipëri nuk ka treguar ndonjëherë progres të dukshëm. Sipas një raporti të integruar të OECD-së dhe ICTD-së, prej vitit 1992 kur në Shqipëri niveli i të ardhurave prej tatimeve dhe taksave ishte 13,81 % e PBB-së, në 2015 rezulton 23,98% e PBB-së. Me gjithë aksionet e qeverisë së Rilindjes për formalizimin e ekonomisë, në tre vite niveli i vjeljes së taksave dhe tatimeve nga administarta është rritur vetëm me 4,22 pikë përqindjeje me një parashikim në rënie për dy vitet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë