Kombetarja

Shqipëria e ‘Francë 2016’ me kuqezinjtë e ‘Gjermani 2024’, vetëm një pikë larg!

Nga Gazeta Si- Shqipëria do të luaj të dielën ndeshjen e fundit të kësaj periudhe të shtatorit të eliminatoreve të Europianit, ku kuqezinjtë ndodhen në vendin e dytë në grup me 7 pikë pas 4 ndeshjesh. Një ndeshje që luhet me emrin më të madh ndoshta të grupit E ku gjendemi, si Polonia e cila aktualisht ndodhet një pike prapa nesh dhe në takimin e parë të këtyre eliminatoreve, na ka mundur më 27 mars me shifrat minimale 1-0, në një takim ku diferencat në letër nuk ishin aspak në fushën e lojës.

 Kjo ishte dhe humbja e parë e Sylvinhos në krye të pankinës kuqezi, por dhe ndeshja e parë e një skuadre që gjithmonë e më tepër po tregohet e fortë dhe e barabartë pavarësisht historisë apo emrit më të madh të kundërshtarëve. Ndërkohë që në letër emrat si Polonia dhe Çekia vërtetë mund të jenë më të fortë, por jo të pakalueshëm. Nisur nga të gjtiha këto, të gjtihë shpresojnë në përsëritjen e kualifikimit për në finalet e Europianit Gjermani 2024, ashtu si thuajse 8 vite më parë në 2016-n,kur arritëm të kualifikoheshim në Francë 2016-të.

Në atë kohë grupi ynë, në letër ishte edhe më i fortë me emra si Portugalia, Danimarka apo Serbia që të treja mbi ne në klasifikimet e UEFA-s apo FIFA-s. Megjithatë, fitorja në ndeshjen e parë me Portugalinë falë golit të Balajt apo 3-pikëshi i marrë në tavolinë pas ngjarjes së tmerrshme të 14 tetorit në Beograd, ashtu si dy barazimet me Danimarkën apo dy fitoret me vendin e fundit Armeninë, na plotësuan një ëndërr, që në fillim të eliminatoreve as që e mendonim.

 Edhe atëherë, pas 4 ndeshjesh, duke lënë mënjanë takimin me Serbinë në Beograd që u vendos më vonë në tavolinë, kishim 8 pikë, dy barazime, dy fitore, një më pak se në këto eliminatore, më pas 3-pikëshi në tavolinë i ndeshjes së Serbisë dhe fitorja në Armeni na dha shansin dhe luksin që humbjet me Serbinë këtu dhe me Portugalinë të mos ndikonin në realizimin e qëllimit.

Por tashmë kuqezinjtë kanë një tjetër pengesë mjaft të fortë si Polonia nesër dhe pika e fituar në Çeki ishte vetëm maja e ajsbergut krahasuar me 3 pikëshin që na duhet nesër, për të mbajtur poshtë vetes një kundërshtarë si Polonia në klasifikimin e grupit.

4 ndeshje të mbetura dhe asnjë “bonus” pikësh në tavolinë, një mision i vështirë mbetet, kur duhet të luajmë ende me Poloninë në Tiranë, Çekinë në Tiranë, me Moldavinë në transfertë dhe për ta mbyllur me Ishujt Faroe më 20 nëntor në kryeqytet. 4 finale, siç thotë trajneri, që do të na bëjnë të vuajmë, por me bindjen se shanset i kemi, se vërtetë kundërshtarët janë të një niveli mbi ne, por ama edhe këta djem kuqezinj nuk bëjnë shaka…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë