Kombetarja

Gjithë Shqipëria i ka sot sytë në ‘Air Albania’, luhet finalja e madhe për në Euro 2024

Nga Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare luan sot një finale në kuptimin e vërtetë të fjalës. Edhe pse më pas mbeten edhe tri ndeshje të tjera nga kualifikueset e "Euro 2024", mbrëmja e sotme - me Poloninë rivale në ‘Air Albania’ - vendos shumë në lidhje me biletën për në Gjermani 2024.

Për mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet, me një Kombëtëre gjithmonë në rritje, në vend të dytë me 7 pikë, kjo ndeshje është vlerësuar si një finale e madhe. Barazimi i pak ditëve më parë në Çeki i ka shtuar shpresat për në Europian dhe sot e gjithë Shqipëria i ka sytë në ‘Air Albania’.

Mbi 20 mijë tifozë kuqezi janë të pranishëm fizikisht për të mbështetur skuadrën e zemrës në stadium, mijëra të tjerë e përkrahin në distancë, brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë. Nga të gjithë konsiderohet si një shans i artë për të siguruar pjesëmarrjen e dytë në një Europian.

Këtë herë pa pasur nevojën e pikëve në tavolinë, siç ndodhi në Francë 2016, kur kuqezinjtë shënuan atë arritje historike, falë edhe 3-pikëshit të fituar në tavolinë për ngjarjet në Serbi.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinjo ka treguar se e meriton plotësisht një nga dy vendet e para në grupin e saj. Po luan futboll të bukur, kompetitiv dhe po përballet si e barabartë me emra të mëdhenj, si Çekia që udhëheq grupin me 8 pikë dhe Poloninë që vjen pas nesh me 6 pikë.

Ka shumë optimizëm në opinionin sportiv dhe në radhët e tifozëve për një fitore të mundshme. Nëse ndodh, kuqezinjtë do të shkëputeshin në 4 pikë nga Polonia, nëse marrin maksimumin sot dhe me 2 ndeshje të tjera më pas po në ‘Air Albania’, kualifikimi në Gjermani 2024 do të ishte thuajse i sigurtë. Barazimi i le kartat të hapura, por kuptohet me një shkallë vështirësie më të madhe. Humbja na kthen prapa.

Bajrami feston një gol në këto eliminatore. Gazeta Si, 10 shtator 2023

Por sot pritet shumë nga ana e kuqezinjve dhe e komandantit të tyre, brazilianit Silvinjo, i cili duket se ka gjetur mekanizmin e duhur për t’i marrë maksimumin skuadrës. Është një moment i artë vërtet. Koha e duhur, vendi i duhur dhe personazhet e duhur për të na dhuruar një mbrëmje të paharrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë