Kombetarja

Llogaritë e Euro 2024, pse kuqezinjve u vlen edhe barazimi ndaj Polonisë!

Gazeta Si – Ai gol i Nedim Bajramit në Pragë ishte vërtet i artë. Pika e fituar ndaj kryesuesve të grupit, në fushën e tyre, e ndihmoi Shqipërinë të mbajë prapa Poloninë, kundërshtarin e së dielës në ‘Air Albania’. Me këtë rival kuqezinjtë do të diskutojnë kualifikimin në Gjermani 2024 dhe këtë herë situata nuk është si në eliminatoret e Botërorit.

Të dielën Silvinjo dhe të tijtë luajnë për dy rezultate: fitoren dhe barazimin. Nuk diskutohet që fitorja do të ishte ideale, sepse do ta shkëpuste skuadrën tonë 4 pikë nga polakët, që do të thotë se në ndeshjet e mbetura pastaj do të pranohej edhe një humbje. Por në llogaritë e kualifikimit të mundshëm futet edhe barazimi.

Sepse në rast barazimi Shqipëria do ta mbante sërish prapa Poloninë me 1 pikë. Në vazhdim, nga tri ndeshje të mbetura, dy prej tyre do t’i luajë në ‘Air Albania’, me Çekinë dhe Ishujt Faroe, ndërsa në transfertë ka Moldavinë. Në anën tjetër, Polonia ka një përballje direkt me Çekinë, nga e cila mund të përfitojnë kuqezinjtë, por së pari ata duhet të bëjnë detyrën e tyre.

Pra, një barazim nesër në Tiranë i lë llogaritë të hapura. Shqipëria duhet të shmangë me çdo kusht humbjen, që do të ishte fatale dhe do të hidhte poshtë gjithçka të mirë të bërë deri tani. Trajneri Silvinjo patjetër ka menduar për Poloninë dhe para Çekisë. Ai ka ruajtur energji për të përballuar me sukses këtë sfidë.

Uzuni, për shembull, mund të jetë ‘ruajtur’ për Poloninë. Me vetbesimin që ka fituar dhe entuziazmin gjithmonë në rritje, Kombëtarja i ka të gjitha shanset për të marrë tri pikët. Ka ardhur momenti për fitore ndaj Poloninë. Me ndihmën e tifozëve kuqezi në një stadium të mbushur plot dhe me presionin në anën e Polonisë, mundësitë janë vërtet të mëdha.

Por futbolli ka edhe kapriço dhe një ndeshje që nuk mund ta fitosh, të paktën nuk duhet ta humbasësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë