Politike

Shqipëria drejton Këshillin e Sigurimit, i pranishëm Zelensky e Lavrov, Rama: Takimi më i rëndësishëm për Ukrainën  

Shqipëria do të drejtojë sot (e mërkurë) një nga seancat më të rëndësishme në Këshillin e Sigurimit në OKB, përmes kryeministrit Edi Rama.

Pika kryesore e diskutimit janë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, por dhe adresimi i nevojave aktuale dhe të ardhshme humanitare.

Të pranishëm pritet të jenë krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Për herë të parë që nga fillimi i luftës është i pranishëm fizikisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së edhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Serghei Lavrov ka mbërritur në Nju-Jork ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe në tryezën e Këshillit të Sigurimit për Ukrainë, ku pritet të jetë përballë për herë të parë me presidentin Volodymyr Zelensky.

Takimi do të nisë në orën 11:00 me orën lokale, ndërsa tema për diskutim në Këshillin e Sigurimit do të jetë “Mirëmbajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Në OKB është i pranishëm edhe presidenti Bajram Begaj, i cili do të mbajë fjalën në emër të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme.

Kryeministri Rama nga ana e tij do të prezantojë dy nisma në Këshillin e Sigurimit, ku për të dytën herë Shqipëria mban Presidencën.

“Këshilli do të mblidhet për atë që, me gjasë, është takimi më i rëndësishëm për Ukrainën, qysh prej fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia. Do të kem nderin të kryesoj këtë takim. Krerët e shteteve dhe të qeverive të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, si dhe, më gjerë, të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, përfshi Ukrainën, do të kenë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të shkëmbejnë ide, jo vetëm rreth luftës që po zhvillohet dhe pasojave mbi Ukrainën e popullin e saj, por edhe për ndikimin që po prodhon lufta mbi paqen e sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe veprimin shumëpalësh.  Do të jetë hera e parë, që prej fillimit të luftës, që Presidenti Zelensky do të jetë në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Sigurimit”, tha Rama një ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë