Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria do të nisë fillimisht katër oficerë shtabi në kuadër të misionit ndërkombëtar në Gaza.
Vendimi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin zyrtar për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë mision.
Sipas ministrit, dërgimi i oficerëve të parë do të shërbejë për vlerësimin e mëtejshëm të rolit dhe nivelit të angazhimit që Shqipëria mund të ketë në këtë operacion ndërkombëtar.
“Shqipëria do të ketë përfaqësi në Gaza. Angazhimi do të nisë me katër oficerë shtabi. Pas mbërritjes së tyre do të bëhet vlerësimi se cili do të jetë niveli i trupave që mund të dërgohen më tej në këtë mision”, tha Nufi.
Shpërblime për FA dhe zjarrfikësit pas operacioneve kundër zjarreve
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri Nufi bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimin e efektivëve të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve të angazhuar në përballimin e situatës së zjarreve në vend.
Sipas tij, vendimi autorizon njësitë e pushtetit vendor të japin shpërblime për shërbimet zjarrfikëse në varësi të tyre, ndërsa janë miratuar edhe shpërblime për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura që morën pjesë në operacionet për shuarjen e zjarreve.
Ministri deklaroi se situata sipas tij është menaxhuar me sukses, duke bërë të ditur se deri tani janë shuar mbi 27 vatra masive zjarri në të gjithë territorin e Shqipërisë.
“Situata tashmë është menaxhuar në mënyrë shumë të mirë. Kemi mbi 27 vatra masive zjarri që janë shuar në Republikën e Shqipërisë, ku janë angazhuar mbi 1,380 forca në operacionet e ndërhyrjes”, tha Nufi.
Ai bëri të ditur se në operacione janë përdorur mbi 90 mjete aktive zjarrfikëse dhe më shumë se 5 helikopterë, duke vlerësuar se kapacitetet kanë qenë tërësisht operacionale.
Sipas ministrit, aktualisht vatra kryesore aktive mbetet ajo në Dajt, ku po punojnë mbi 120 efektivë, ndërsa dy helikopterë vijojnë ndërhyrjen nga ajri për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Nufi e cilësoi shpërblimin si një vlerësim për punën dhe sakrificën e forcave që kanë qenë në vijën e parë të përballjes me zjarret.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje