Shqipëria ka njoftuar sot dëbimin e dy diplomatëve iranianë për shkak të veprimtarive të dyshimta.
Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, i cili njofton se dy përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Iranit në Shqipëri. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast janë shpallur persona non grata.
“Dy përfaqësuesëve të Republikës Islamike të Iranit ju është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, shkruan Cakaj.
Ky vendim i autoriteteve shqiptare vjen ndërkohë që tensionet SHBA-Iran kanë arritur kulmin, me këtë të fundit që ka përmendur edhe Shqipërinë si “një vend të vogël djallëzor që i shërben Uashingtonit”.
Për të njëjtat arsye, Shqipëria dëboi një vit më parë e ambasadorin iranian në Tiranë Gholamhossein Mohammadnia, dhe një tjetër diplomat, duke i akuzuar për cenimin e sigurisë kombëtare.
Gazeta Si mëson se me rritjen e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit është rritur edhe siguria në kampin e grupit opozitar iranian në Manzë.
Vitin e kaluar dëbimi i ambasadorit Iranian shkaktoi një varg reagimesh të nivelit të lartë në Uashngton, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, Këshilltari John Bolton dhe vetë Presidenti Donald Trump përgëzuan Shqipërinë. Vetë Sekretari Amerikan i Shtetit i përshkroi diplomatët si “dy agjentë iranianë që po komplotonin sulmet terroriste në Shqipëri”. Edhe Presidenti Donald Trump ka përgëzuar qeverinë e Shqipërisë për ndalimin e komplotin terrorist iranian në tokën shqiptare, në një letër të pashembullt dërguar Kryeministrit Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.