Biznes

Shqipëri-Kosovë me Dhomë të përbashkët Ekonomike

Firmoset marrëveshja ndërmjet dy qeverive për krijimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë”.

Kjo nismë erdhi si kërkesë e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, paraqitur pranë Qeverisë Shqiptare për heqjen e barrierave tarifore dhe jo-tarifore për qarkullimin e lirë tregtar dhe ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Themelimi i “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë”cilësohet si një nga iniciativat me një impakt shumë të rëndësishëm, që do të ndihmojë në integrimin konkret dhe nisma të përbashkëta për zhvillim të qendrueshëm dhe gjithëpërfshirës të dy vendeve.

Dhoma Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë do të kryesohet me rotacion, ku një vit do të udhëhiqet nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, ndërsa një vit nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Dhoma Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë do të ketë seli në Tiranë dhe Prishtinë.
Sipas propozuesve, Dhoma Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë, ka si qëllim arritjen e objektivave:

a)Të përfaqësojë zërin dhe të mbrojë interesat e anëtarëve, të cilët janë kryesisht biznese që ushtrojnë aktivitete tregtare dhe investime midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe favorizojë solidaritetin midis sipërmarrjeve, në kontekstin e ekonomisë së tregut;

b)Të jetë partner social në kuptimin e gjithë legjislacionit të punës dhe çështjeve sociale, legjislacionit ekonomik e financiar, që prek interesat e komunitetit të biznesit;

c)Në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, synon të ofrojë sugjerime dhe propozime për çështje ekonomike aktuale, si dhe ofrimin e sugjerimeve të masave që do të nxisin rritjen e tregtisë dhe investimeve të ndërsjella në të dy vendet;

d)Të mbrojë interesat e sipërmarrjeve, kundrejt Administratave Shtetërore dhe institucioneve të tjera publike e private, duke i përfaqësuar në të gjitha organet shtetërore, publike dhe qeveritare, vendimmarrëse ose konsultative, aktuale ose që do të krijohen në të ardhmen, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe brenda normave të statutit, si në Shqipëri dhe në Kosovë.

e)Të nxisë iniciativat ligjore për përmirësimin e legjislacionit në fushën e ekonomisë, të financave, të punës, tatim-taksave, si dhe në fushat e rëndësishme e që nuk lidhen drejtpërsëdrejti me veprimtarinë e anëtarëve të saj.

f)Të bashkëpunojë me organizata homologe në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, për arritjen e qëllimeve të saj.

g)Të promovojë prodhimet Made in Albania dhe Made in Kosova brenda Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe në trevat mbarëshqiptare.

h)Të organizojë në mënyrë direkte ose indirekte, kërkime e studime, debate e konferenca, anketime e veprimtari promovuese, panaire, etj, në shërbim të anëtarëve, për të promovuar bashkëpunimin tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe promovimin ndërkombëtar të ekonomive të këtyre vendeve.

i)Të krijojë një forum dhe platformë në mbështetje të sipërmarrjes, ku anëtarët do të diskutojnë pikëpamjet ekonomike dhe çështjet me interes të përbashkët për lehtësimin e problematikave të sipërmarrjes të dy vendeve.

j)Të krijojë një mekanizëm të ndërmjetësimit dhe arbitrazhit që do të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve të mundshme mes kompanive nga Shqipëria dhe Kosova.
Objektivat e lartpërmendura do të përmbushen nga “Dhoma Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë”, përmes një strukture drejtuese funksionale, të udhëhequr nga Kryetari dhe Këshilli Ekzekutiv, i cili përbëhet nga anëtarë të zgjedhur nga sektorët me të rëndësishëm të ekonomisë në të dyja vendet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë