Drejtësia

Fondet e BE, Ilir Beqaj ofron garanci pasurore për t’u liruar. GJKKO vendos më 20 maj

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 20 maj seancën ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë, i akuzuar për dosjen “SASPAC” me abuzimin e fondeve të BE.

Vendimi për shtyrjen u mor nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pas kërkesës së prokurores Elida Kaçkini, e cila deklaroi se i nevojitet kohë për t’u përgatitur lidhur me prapësimet ndaj kërkesës së mbrojtjes. Seanca e radhës është caktuar më 20 maj, në orën 09:30.

Përmes avokatëve të tij, Beqaj ka kërkuar që masa e sigurisë të ndryshohet në “arrest shtëpie”, “detyrim paraqitje” ose në alternativë ka ofruar garanci pasurore në vlerën e 2 milionë lekëve, rreth 20 mijë euro.

Në argumentet e paraqitura në gjykatë, avokatët e Beqajt kanë përdorur edhe vendimin e marrë nga Gjykata e Lartë për masën e paraburgimit.

Sipas këtij vendimi, masa “arrest me burg” duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar realisht alternativat e tjera më të lehta të sigurisë, ndërsa prokuroria duhet të argumentojë konkretisht nevojën për kufizimin ekstrem të lirisë.

Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAK, lidhur me dyshimet për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian.

Ish-ministri, është i pandehur edhe për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit”, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim. Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë