Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 4 vite shërbim prove për Zyra Islamajn, ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, ndërsa për biznesmenin Rrok Gega, dy vite shërbim prove për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Për Islamajn, prokurori Bledar Maksuti kërkoi 3 vite burg me kushtin që të konvertohet në 4 vite shërbim prove. Ndërsa për Gegën, u kërkua dënim me 1 vit burg me kushtin që të konvertohet në 2 vite shërbim prove.
Akuza në lidhje me këto dy persona lidhet me tenderin e një ure, ku sipas SPAK, Islamaj është përpjekur ta ndërtojë për familjarët e vet. I pandehuri i dytë nga ana e tij ka thënë se do ta bënte urën dhuratë.
SPAK më 30 shtator 2025 njoftonte se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, rezulton se shtetasja Zyra Islamaj, në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Tropojë, rezulton se është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj.
Ajo ka ndërhyrë tek ndërtuesi, Rrok Gega për të ngritur urën mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj.
Njëkohësisht planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin.
Edhe ndërtuesi, nga ana e tij, ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë kryetares së Bashkisë Tropojë.
Prokuroria e Posaçme ka administruar materialin kallëzues, bazuar mbi një informacion të ardhur më 8.1.2025, nga Partia Demokratike, i mbështetur mbi denoncimin e bërë nga një emision televiziv investigativ në nëntor të vitit 2024.
Zyra Islamaj u komandua në krye të Bashkisë së Tropojës në shtator 2024, pas arrestimit të kryebashkiakut Rexhë Byberi, i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe dëm ekonomik prej 2.7 miliardë lekësh të vjetra për buxhetin e shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje