Politike

Shqipëri-Kosovë, marrëveshjet deri tani mbetën vetëm në letër

Mentor Kasa - Pas luftës së Kosovës marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunim të gjithanshëm numëroheshin me gishta, edhe për shkak se deri në vitin 2008, kohë kur u shpall pavarësia ujditë firmoseshin nga përfaqësuesit e UNMIK.

Pas shpalljes së pavarësisë, qeveria në Prishtinë nuk i kishte më duart e lidhura dhe mund të hynte si e barabartë në bisedime dhe nënshkrime marrëveshjesh bashkëpunimi me të gjitha ato vende që e njohën si shtet të pavarur.

Në tre vitet e para si e pavarur, Kosova nënshkroi me Shqipërinë dy marrëveshje dhe që të dyja të karakterit teknik, për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe tregtinë. E para u nënshkrua në qershor të 2009 për ndihmë të ndërsjellë doganore, ndërsa e dyta më 22 korrik të 2011.

Ish-Kryeministrat Sali Berisha e Hashim Thaçi gjatë një takimi mes tyre. Foto arkiv

Në thelb këto dy marrëveshje lehtësuan qarkullimin në dy anët e vijës ndarëse mes dy shteteve, por si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë zërat për të bërë më shumë në këtë drejtim, sidomos sa i takon bashkëpunimit ekonomik shtoheshin vazhdimisht.

Shtimi i bashkëpunimit dhe heqja e barrierave doganore ishin një prej zotimeve të Edi Ramës pas marrjes së pushtetit në 2013. Në atë kohë ai deklaronte se mes dy shteteve shqiptare duhej një strategji e qartë bashkëpunimi të gjithanshëm, që duhet të zbatohet më pas.

Zotimi i tij u mirëprit në Prishtinë dhe në janar të 2014 u zhvillua mbledhja e parë e përbashkët mes dy qeverive, e mbajtur në Prizren e në përfundim të të cilës u miratua strategjia e përbashkët e bashkëpunimit. Kjo strategji përcaktonte piketat e bashkëpunimit në të ardhmen në politikë e diplomaci, në ekonomi, energjitikë, arsim, kulturë e siguri.

Sa i takon bashkëpunimit politik palët zotoheshin për qëndrim të njësuar sa i takon proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe një koordinim i përbashkët diplomatik për të shtuar njohjet e Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizmat e institucionet ndërkombëtare.

Marrëveshja pasoi hapjen e disa konsullateve të përbashkëta dhe përfaqësimin e Kosovës nga ana e Shqipërisë në ato vende ku nuk ka përfaqësi diplomatike. Hapa përpara u bënë, por sërish pati disa ngërçe dhe qëndrime të kundërta, sidomos sa i takon çështjes së kufijve të Kosovës. Përplasja e parë ishte për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e kundërshtuar fillimisht nga Haradinaj, kundërshti që Edi Rama e cilësoi të panevojshme.

Një tjetër qëndrim që ka krisur politikën si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë ishte ai i nisur verën që kaluam dhe i hedhur për diskutim nga Presidenti Hashim Thaçi për “korrigjim” të kufijve me Serbinë. Në Tiranë, i vetmi mbështetës i Thaçit ishte Edi Rama, ndërsa në Prishtinë Presidenti nuk pati as mbështetjen e qeverisë së Ramush Haradinajt, as të Parlamentit kosovar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një takimi me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Në sektorin ekonomik gjëja e parë që u premtua ishte lëvizja e lirë dhe heqja e burokracive doganore për mallrat që qarkullonin në të dyja anët. Objektivi ishte rritja e volumit tregtar mes dy vendeve dhe ndërtimin e një hapësire ekonomike të përbashkët, që u tha se do t’i shndërronte dy vendet më shumë tërheqëse për investitorët e huaj.

Si shembull në këtë pjesë sillej energjia elektrike. Shqipëria prodhon pjesën dërrmuese të energjisë nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet, duke qenë plotësuese të njëra-tjetrës. Për këtë zotimi ishte ndërtimi i linjës së transmetimit 400 KW, që u quajt edhe si “Autostrada energjitike e Kombit”. Por, burokracitë nga të dyja anët e kufirit e vonuan përfundimin e kësaj linje dhe kur ajo u mbyll, një tjetër pengesë ishte edhe Serbia, që bllokoi lidhjen e kësaj linje me rrjetin rajonal energjitik.

Projekti energjitik u financua nga banka gjermane KFW

Energjitika, megjithëse një fushë komplekse dhe pengesat e burokracitë që iu shfaqën rrugës, vlerësohet si një prej fushave relativisht të suksesshme të bashkëpunimit. Por, ka disa fusha të tjera, që në thelb vlerësoheshin më të thjeshta e që në realitet dalin më të komplikuara.

Njëra prej tyre është tregtia. Edhe pse palët zotoheshin e nënshkruanin marrëveshje për të garantuar një tregti të lirë dhe pa pengesa tarifore me njëra-tjetrën, edhe në kuadër të CEFTA-s, burokracitë janë ato që e kanë dëmtuar këtë bashkëpunim.

Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës janë kryesisht në minerale, lëndë djegëse, kryesisht naftë bruto, energji elektrike dhe materiale ndërtimi si çimento e të tjera. Nga ana tjetër, Kosova eksporton drejt Shqipërisë kryesisht minerale të papërpunuara dhe produkte ushqimore si miell gruri, pije dhe patate. Nuk janë të largëta kohët kur eksportuesit kosovarë protestonin kundër bllokimit të patates nga ana e Shqipërisë nga 2009 deri në 2012.

2017 ishte viti më i mirë sa i takon volumit tregtar, që tejkaloi 200 milionë eurot, por që sërish mbeti pas volumit tregtar Kosovë-Serbi, që ishte mbi 360 milionë euro. Sipas INSTAT, eksportet e Shqipërisë me Kosovën përbëjnë rreth 7 për qind të totalit të eksporteve, ndërsa importet vetëm 1 për qind. Për Shqipërinë, partnerët kryesore tregtarë mbeten Italia dhe Greqia, ndërsa për bizneset kosovare vijon të mbetet Serbia.

Pra, tre vite nga nënshkrimi i marrëveshjeve mes dy qeverive, efekti i dhënë nuk ishte ai i pritur. Blerand Stavileci, ish-ministër i Ekonomisë në Kosovë e lidh këtë handikap më shumë me psikologjinë e bizneseve.

“Marrëdhëniet Kosovë-Serbi nuk janë të mira, por bizneset kanë një obsesion psikologjik. Bizneset shqiptare preferojnë ato greke dhe kosovarët ato serbe. Duhet të ketë më shumë takim mes bizneseve se qeverive”, thotë ai.

Ish-ministri i Ekonomisë në Kosovë, Blerand Stavileci

Por jo vetem psikologjia. Në shkurt të 2013, autoritetet kosovare tërhoqën nga tregu një sasi të madhe qumështi të importuar nga Shqipëria. Arsyeja ishte për çështje sigurie. Qumështi u cilësua i dëmshëm pasi përmbante nivele të larta aflatoksine, një substancë toksike që në sasi të mëdha dëmton rëndë shëndetin.

Një muaj më vonë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri sekuestroi në kufi mbi 70 tonë miell gruri me prejardhje nga Kosova. Arsyeja ishte se dërgesa nuk shoqërohej me certifikatën e sigurisë, ndrsa në tetor të 2014, në një sekuestrim të ngjashëm arsyeja ishte se mielli nuk përmbante sasinë prej 12.5 për qind të proteinave, ashtu siç përcaktonte Ministria e Bujqësisë.

Rastet mund të duken të izoluara, por ato janë një tregues i qartë se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë shumë komplekse dhe në to ndërthuren edhe interesat e kompanive të mëdha, në Tiranë e Prishtinë, që kanë thuajse monopolin në tregjet përkatëse e që nuk u intereson tregtia e lirë.

Një tjetër element pengues janë burokracitë e shumta dhe certifikata e nivele të ndryshme sigurie e kontrolli që aplikohen për të njëjtin produkt nga Kosova dhe nga Shqipëria.

Në përpjekje për të eleminuar këto pengesa, u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët mes dy qeverive. Këtë herë nuk ishte më Hashim Thaçi në krah të Edi Ramës në Tiranë, por ishte Isa Mustafa. Këtu u firmosën 11 marrëveshje, që siç u tha synonin thellimin e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik,

Mes marrëveshjeve të nënshkruara ishte edhe ajo e nënshkruar mes ministrive të Financave për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë. Për Kryeministrin Rama vëllimi i shkëmbimeve tregtare që në atë kohë ishte rreth 160 milion euro duhet më së paku të dyfishohet.

“Jemi të vendosur që brenda vitit t’i heqim të gjitha barrierat e natyrës administrative dhe të njësojmë dokumentet zyrtare të nevojshme për tregtinë në mënyrë që sipërmarrësit të mos jenë të detyruar të punojnë me dy palë autorizime me dy palë dokumente kur është fjala për shkëmbime tregtare dhe posaçërisht per shkëmbimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, ku është e domosdoshme të veprojmë me shpejtësi dhe do ta bëjmë këtë për të njehsuar dhe njohur reciprokisht burimet e certifikimit”, deklaronte ai në mars të 2015.

Deklarata gjente mbështetjen e qeverisë së Kosovës, por në terren pak u bë që prej kësaj deklarate dhe barrierave doganore iu shtua edhe një tra i vendosur në Rrugën e Kombit, duke rritur kostot për bizneset kosovare dhe ato shqiptare.

Tani, 4 vite nga takimi i parë dy qeveritë u bënë sërish bashkë. Protagonistët nga ana e Kosovës kanë ndryshuar sërish, por në anën shqiptare mbetet Edi Rama. U nënshkrua një marrëveshje për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike.

Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj gjatë aktiviteteve në kuadër të takimit të përbashkët të dy qeverive. Foto Facebook

Prishtina dhe Tirana nënshkruan po ashtu një protokoll për një pikë të përbashkët kontrolli doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë. Rama deklaroi se nuk do të ketë asnjë barrierë tarifore mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në kuadër të lehtësive prej vitesh qëndron varur një premtim i hershëm i Shqipërisë për t’i mundësuar Kosovës një port detar. U përfol ca kohë Shëngjini, por ky variant u zbeh dhe në dritë doli Porti i Durrësit. Në mbledhjet e shkuara afate nuk u dhanë, por në mbledhjen e fundit, Kryeministri Edi Rama premtoi datën 1 janar për hapjen e një sporteli të Kosovës në Portin e Durrësit, aty ku i premtoi të njëjtën gjë edhe kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev në takimin e përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë e Maqedonisë në Korçë.

Por, Vetëvendosje thotë se problemi më i madh nuk është nënshkrimi i marrëveshjeve, por zbatimi i tyre.

“Në katër mbledhjet e deritanishme të përbashkëta janë nënshkruar 50 marrëveshje bashkëpunimi, memorandume bashkëpunimi apo dakordime mes palëve. Prej tyre 14 memorandume e marreveshje dhe tri zotime i takojnë fushës së ekonomisë, përfshirë këtu sistemin fiskal, doganor, energjinë, zhvillimin ekonomik ndërkufitar, bujqësinë, tregun e punës dhe një segment tjetër me rëndësi, ai i nxitjes së zhvillimit ekonomik në Luginën e Preshevës. Pjesa dërrmuese e këtyre marrëveshjeve janë harruar që në ditën e nënshkrimit të tyre. Asnjëra prej tyre nuk ka kaluar nëpër dyert e parlamenteve të dy vendeve dhe për më tepër as nuk i gjen në databazat apo prezencën online të qeverive të dy vendeve apo ministrive gjegjëse”, deklaroi kreu i VV, Albin Kurti. 

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/1115692425265146/?xts__[0]=68.ARDwI6Bggj3euwHzFoFDubczC5WckMmwbCoUvxhrkTbODEEIA_rjzFYldmCY0JeKq5X1kOWJrp6J20_dPpv_9G4xTZO6NDd16Gw4kuJ5uTkSPJJ8sIPHyi9G5LqWEW11Dykxr_fVGl58dw61Jy828HdBOvtd2ZicVcZ_eOUEq7rYTuBXIKFgmNKOOCOE4WPhx9OgX1XSABgiQjUog6laeEFBrUEnOagi17vLTH3ZxuQJDsRGv_R-DD3bTeakXGST4Qz8dqZDuXU25oEYK0r7FXU32t8u1nwA-ubWDMkqDzj54yWosBhW4pCYqrnEWViybAbZpqpQyIfvAhR6M80aWKnr&__tn=K-R

Vetëvendosje thotë se në pjesën më të madhe marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë përmbajnë zotime, por as afate për zbatimin e tyre, e as indikatorë për matjen e progresit drejt afateve të përcaktuara.

“Ne kemi nënshkruar pothuajse secilin vit, që nga mbledhja e parë e përbashkët e vitit 2014, marrëveshje, memorandume e zotime, për lehtësim të tregtisë mes vendeve tona, por edhe për dakordime në fushën e politikave doganore. Por, a mund të na thotë dikush se pse edhe pas katër viteve nuk ka as përmirësim periferik në fushën e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve?”, shtoi Kurti.

Risia e kësaj mbledhjeje të përbashkët janë rrethanat në të cilat zhvillohet. Kosova sapo u ka vendosur tarifa 100 për qind produkteve serbe dhe tregu vendas është në kërkim të partnerëve të tjerë për të mbushur boshllëkun e lënë bosh. A do të përfitojnë shqiptarët nga të dyja anët e kufirit nga këto zhvillime? Koha do ta provojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë