Vende dhe Udhetime

Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, shtegu përrallor që kanë zbuluar turistët

Të apasionuarit pas natyrës kanë zbuluar së fundmi një shteg të ri në Ballkan, i cili u jep mundësi turistëve të huaj, por edhe vendas, të kalojnë nga Shqipëria, në Kosovë dhe më pas në Maqedoni, duke eksploruar dhe shijuar bukuritë e jashtëzakonshme të natyrës. 

"Lonely Planet" ka ndjekur gjurmët e turistëve, duke kaluar përmes shtegut prej 495 kilometrash , i cili mbulon trekëndëshin ndërkufitar midis tre vendeve dhe të ofron mundësinë e një “arratije” të paharrueshme në natyrë.

Ky reliev i zbuluar së fundmi mendohet të bëhet pjesë e një projekti rajonal të financuar nga qeveria gjermane, për rritjen e mundësive të punësimit në rajonin ndërkufitar të Ballkanit Perëndimor përmes turizmit. Ky projekt do të zbatohet nga Shoqëria për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe mendohet të krijojë një alternativë të gjërë turizmi për të treja vendet. 

Destinacioni i ri fillon me malin e Sharit, duke vazhduar më tej në Maqedoninë Perëndimore, duke kaluar pranë liqenit të Ohrit dhe duke përfunduar pranë liqenit të Prespës në Shqipërinë juglindore.

Kjo shëtitje shumë e gjatë mund të zgjasë deri në  20 ditë, për shkak të shtigjeve të shumta dhe relievit jo të favorshëm. Pjesa më e madhe e këtij eksplorim mahnitës bëhet në territorin shqiptar, duke u dhënë mundësi turistëve të vizitojnë nga afër parkun natyror që nis ne Korabi dhe përfundon në Kortnik.

Sipas “Lonely Planet” parku është i njohur për shkak të habitatit të larmishëm, duke nisur nga arijnjtë, ujqërit, dhelprat dhe shumë varietete pemësh. Periudha më e mirë për të realizuar këtë shëtitje sipas ekspertëve është në muajt e verës, pasi përgjatë pjesës tjetër të vitit ecja është e pamundur nga moti i keq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë