Politike

Shqetësimi i BE për Antishpifjen: Respektoni vetërregullimin e tregut

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë mbetet ende e shqetësuar në lidhje me nismën ligjore të Qeverisë, të quajtur si “paketa antishpifje” për të rregulluar tregun e shërbimeve mediatike, sidomos mediat elektronike. Në një reagim për Gazetën “Si”, zyra e BE-së në Shqipëri nënkupton se nisma nuk ka adresuar plotësisht rekomandimet e Këshillit të Europës dhe standardet ndërkombëtare.

“Ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësimet tona për nismat ligjore të vazhdueshme të qeverisë për ndryshimin e legjislacionit të shërbimeve mediatike. BE-ja ka kërkuar që kjo nismë të adresojë rekomandimet e Këshillit të Europës dhe, në përgjithësi, të përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve. Kjo ende duhet të sigurohet”, thotë BE në përgjigjen e dhënë për Gazetën “Si”.

Aktualisht, mazhoranca është duke pritur opinionin e Komisionit të Venecias për gjysmën e paketës Antishpifje, për projektligjin për mediat audiovizive. Socialistët shfrytëzuan dekretin e Presidentit Ilir Meta që e riktheu për rishqyrtim në Kuvend dhe në seancën e 30 janarit njoftuan se do të presin mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë mbi këtë nismë.

Venecias iu drejtuan për opinion si Këshilli i Europës, ashtu edhe OSBE. Të dyja këto institucione ndërkombëtare këmbëngulin në parimin e vetërregullimit të tregut, sidomos në median online. Këtij parimi i mëshon edhe delegacioni i BE-së në reagimin për gazetën “Si”, që thekson se ky parim rekomandohet edhe nga Komisioni.

Këtij qëllimi i shërbeu edhe tryeza e 12 shkurtit e disa mediave online që krijuan “Aleancën për Media Etike”. Në këtë tryezë merrte pjesë edhe kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. A është kjo pjesëmarrje një mesazh për Qeverinë që të tërhiqet nga paketa antishpifje?

“Komisioni Europian dhe Delegacioni i BE-së këtu kanë këshilluar vazhdimisht dhe mbështetur vetërregullimin. Ky është mjeti më i mirë për të promovuar informacionin cilësor, duke trajtuar dezinformimin dhe shpifjet, duke mbrojtur lirinë editoriale dhe duke forcuar besueshmërinë e medias”, thotë BE.

BE thotë se do të mbështesë me burime financiare në kuadër të projekteve rajonale nismën e gazetarëve për të ngritur këtë aleancë.

“Bashkimi Europian financon projektin rajonal "Ndërtimi i besimit në media në Europën Jug-Lindore dhe Turqi", që mbështet vetërregullimin e mediave dhe përgjegjshmërinë e mediave në rajon. Në Shqipëri, projekti i drejtuar nga UNESCO, bashkëpunon ngushtë me Këshillin e Mediave Shqiptare në drejtim të forcimit të lirisë së shprehjes dhe veçanërisht mediave të lira, të pavarura dhe pluraliste”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Tiranë.

Paketa antishpifje përbëhet nga dy ligje. Njëri është ligji për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Me ligjin e ri, ky Autoritet mund të ndëshkojë me gjoba të majme mediat për përhapjen e informacioneve të rreme. Niveli i gjobave shkon deri në 6 mln lek të vjetra. Ligji i dytë është ligji për mediat audiovizive, që i jep AMA-s kompetenca thuajse gjyqësori për të vendosur mbylljen, ose jo të mediave online.

Mazhoranca thotë se për ligjin e parë asnjë nga partnerët nuk ka shfaqur shqetësime dhe e kaloi në seancën e 30 janarit, ndërsa për ligjin e dytë u tërhoq duke vendosur që të presë mendimin e ekspertëve të Venecias, që më 10 shkurt ishin në Tiranë me një mision faktmbledhës për këtë çështje. Opinioni pritet që të miratohet në muajin mars.

Por, pavarësisht pretendimit të mazhorancës, si Këshilli i Europës, ashtu edhe OSBE kanë shfaqur shqetësime për të dyja ligjet, jo vetëm për ligjin e AMA-s. Mes shqetësimeve që ata ngrenë për ligjin për AKEP është jo vetëm niveli i lartë i gjobave, por edhe vetë koncepti i ndëshkimit përmes tyre, si një koncept që bie ndesh me parimin e vetërregullimit të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë