Ekonomi

Shpresa për turizmin, rezervime nga shqiptarë dhe të huaj për pushime në jug

Nga Megi Iskurti- Turizmi shqiptar hyri në një spirale krize fill me shpërthimin e pandemisë e cila ia shtoi akoma më tej problemet e mbartura nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë dy vite më parë.

Duke qenë i paralizuar nga mbyllja e kufijve, ky sektor që kontribuon në 26.2% të PBB-së, u bë temë e diskutimeve mediatike dhe jo vetëm, ku askush nuk e dinte se çfarë sillte e nesërmja, por të gjithë e dinin me siguri që ekonomisë i duhej të mbijetonte e bashkë me të, edhe ky sektor.

Agjencitë, hoteleritë dhe bizneset u mbërthyen nga ethet e krizës dhe pasigurisë të cilat nuk i lanë që të “ngrinin krye” për një kohë të gjatë.

Vera që lamë pas, nën moton “Pusho shqip” ishte një përpjekje e vazhdueshme për të nxitur qytetarët e Kosovës dhe ato të Shqipërisë të pushonin brenda territorit në mënyrë që ekonomia të mbahej e stimuluar.

Tashmë shumë pranë hapjes së sezonit turistik duket se ka dritë në fund të tunelit dhe turizmi shqiptar po e rimerr veten.

Gazeta “Si” bisedoi me drejtuesit e Matias Travel, një ndër agjencitë më të mëdha turistike në vend, e cila nisur nga numri i rezervimeve është shpresëplotë që gjërat po shkojnë në rrjedhën e duhur dhe turizmi do rikthehet në të gjitha trajtat e mëparshme.

Si duket, tubimet e fushatës dhe shifrat e ulëta të infektimit u kanë larguar frikën qytetarëve të cilët kanë nisur të bëjnë rezervimet e para.

“Pas zgjedhjeve parlamentare, rezervimet janë rritur ndjeshëm. Ajo që është interesante është fakti se ndryshe nga viti i kaluar kur rezervimet nisnin kryesisht pas datës 15 qershor, këtë vit kanë nisur që në fund të prillit.

Izolimi i gjatë i ka bërë qytetarët ta ndiejnë edhe më të domosdoshme nevojën për të bërë pushime dhe këtë vit fluksi është shumë më i madh nga se pritej në fakt.

Rezervimet më të mëdha janë bërë për në jug ku disa grupe kanë ikur që tani për shkak të temperaturave të larta.

Zakonisht, jugu ka çmime më të larta se Durrësi dhe në fakt rezervimet për tek ky i fundit janë një ose dy ditore ndryshe nga jugu ku rezervimet bëhen për të ndenjur mbi pesë ditë.

Aktualisht kanë ardhur dhe operatorët e parë të turistëve të huaj që po bëjnë rezervimet dhe check-inet fillestare e në fakt tendenca duket se është pozitive”- tha Erjon Mane, i Matias Travel për gazetën Si.

Pushues në plazhin e Dhërmiut

Të njëjtin trend rezervimesh konfirmoi edhe kompania e makinave me qira “Enterprise Albania” e cila pohoi se aktualisht janë bërë një numër i madh rezervimesh si nga të huajt ashtu edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë të cilët do të kthehen në Shqipëri përgjatë sezonit turistik të verës.

Vitin e kaluar, numri i turistëve që erdhën në Shqipëri u ul me 50% në krahasim me një vit më parë dhe pavarësisht të gjithëve përpjekjeve për të nxitur zhvillimin e turizmit, kostot ishin dominuese përkundër fitimit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në total, në vend kanë hyrë rreth 1.1 miliardë euro më pak, si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara të turistëve.

Në këtë sektor janë të punësuar rreth 300 mijë persona të cilët u prekën në mënyrë direkte dhe u përfshinë në të gjithë vorbullën e kolapsit.

Përgjatë verës, aty kur kulmon edhe interesi i turistëve për të vizituar Shqipërinë, jugu është një nga destinacionet që zgjidhet rishtazi.

Punonjësit e “Wait ‘n sea”, një hotel në Himarë, i tregojnë gazetës “Si” se rezervimet tani kanë nisur e madje ka patur dhe disa përplasje të vogla në data për shkak të fluksit të krijuar.

 “Jugu i Shqipërisë është një përrallë në të cilën fjalinë e fundit e vendos pushuesi.

Këtu mund të shikosh pamje piktoreske që janë të papërsëritshme dhe turistët mbeten të impresionuar nga ajo që gjejnë këtu. Në krahasim me vitin e kaluar, numri i rezervimeve në hotelin tonë është rritur me rreth 70%.

Ajo që kemi vënë re është se ndryshe nga vjet kur rezervimet ishin vetëm për dhomat e thjeshta që janë më të lira në çmim, këtë vit pushuesit kanë rezervuar edhe suitat tona. Grupe të ndryshme shqiptarësh dhe të huajsh kanë telefonuar dhe përgjithësisht kërkesat janë më të mëdha për muajin korrik”-tha për Gazetasi.al pronari i hotelit, Thanas Goro.

Plazhi Livadh, Himare

“Vlera e shtuar e këtij sektori ka rëndësi ekonomike e strategjike për vendin pasi për çdo një lek të investuar, krijohen tre lekë vlerë e shtuar dhe për çdo një të punësuar në këtë sektor, hapen tre vende të reja pune. Goditja e kësaj industrie krijoi një terren i cili ishte mjaft i vështirë për tu rikuperuar ku qindra punë u vunë në pikëpyetje”-shtoi Blerina Ago, eksperte në fushën e turizmit.

Shqipëria, ky vend i vogël me potenciale të mëdha, përveç jugut ka të vizituar edhe veriun që ngahera ka tërhequr turistët me gjithë linjat dhe thurjet e tij.

Vargmalet, bjeshkët e pllajat sa të virgjra aq dhe të prekura tek-tuk nga dora e njeriut, kanë bërë që tashmë të krijohen një sërë strukturash të quajtura “shtëpi pritje” (guest house) për të mirëpritur të gjithë vizitorët që zgjedhin t’i falin vëmendje veriut e njëkohësisht të marrin shumë prej tij.

Sabri Shahini, i cili ka një bujtinë të vogël në verilindje të Shqipërisë, në fshatin “Rabdisht”, konfirmoi gjithashtu për Gazetasi.al se turizmi nuk është më në kufirin delikat, por po shkon në prag rikuperimi.

Guest House Sabriu

Edhe pse bujtina e tij është e vogël dhe jo shumë e njohur në raport me disa të tjera, rezervimet kanë qenë të kënaqshme e shpresëdhënëse.

Brenda bujtinës së Sabriut

 “Shqipëria është vendi i shtajzovalleve, i bukurisë së virgjër, i veriut kryelartë të legjendave e i jugut blu piktoresk.”- thotë ai, si për të dashur t’i mëshonte faktit që vendi ynë ka çka u servir turistëve.

Rikuperimi i turizmit është mbase ajo që i duhet më shumë ekonomisë shqiptare në këtë prag sezoni turistik.

Ngjyrat e panoramës idilike të turizmit shqiptar po rikthehen jo vetëm me shqiptarët, por edhe me të huajt që si duket kanë zgjedhur po ashtu t’i bashkohen motos verore për “të pushuar shqip.”... ndoshta edhe për shkak se kufijtë e BE-së janë ende te mbyllura dhe në Turqi ende COVID-19 është një kërcënim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë