Lajme

Shpëtoi dy të miturat, nëna tentoi t’i mbyste në lumë

Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Fier ku 42-vjeçarja dogji shtëpinë e bashkëjetuesit dhe tentoi të mbyste dy vajzat e saj në lumë, djali që i shpëtoi tregon tmerrin që ka parë atë ditë.

Admir Murataj pa se si nëna e dy vajzave tentoi t’i mbyste ato, pasi më parë kishte djegur edhe banesën e bashkëjetuesit të saj.

“Isha këtu kur pashë të vinte një grua me dy fëmijë, te cepi i urës aty matanë. Duke kaluar ngadalë, u hodh menjëherë në lumë. Një vajzë e kishte në krahë, tjetrën e kapte prej flokësh, e po tentonte të zhytej në ujë. Shkova me vrap, hoqa telefonin nga xhepi, u zhyta, sepse thellësia mund të jetë mbi 3 metra, notova dhe i hoqa nga duart një nga vajzat. Tjetrën e kishte kapur prej flokësh, e kishte zhytur në ujë. Arrita ta nxjerr, por kishte pirë shumë ujë lumi. I bëra frymëmarrje artificiale pasi e nxora dhe për fat e shpëtova. Më tej hyri një qytetar tjetër, më tutje, për të nxjerrë gruan nga lumi. Edhe pasi doli, gruaja tentoi t’i merrte sërish fëmijët për t’i mbytur me thonj. Njoftova menjëherë policinë”, thotë peshkatari Admir Murataj.

Gjykata e la në burg 42-vjeçaren Rudina Kishta, ndërsa ajo ka rrëfyer para trupës gjykuese se bashkëshorti e dhunonte fizikisht dhe prej 6 muajsh jetonte në kushte të vështira. Kishta ka pranuar tentativën për mbytjen e dy vajzave të mitura, duke thënë se këtë do ta bënte pasi vajzat janë të sajat.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë