Libra

Shpëtim Selmani nga Kosova merr çmimin e BE-së për letërsinë

Është hera e parë që Kosova merr pjesë në një garë europiane të rëndësishme për librin dhe fiton. Çmimi i është akorduar të riut Shpëtim Selmani.

Shpëtim Selmani e ka fituar çmimin me librin “Libërthi i Dashurisë” të botuar pak muaj më parë në Kosovë.

Rrëfimi në libër fillon kur narratori reflekton në rutinën e tij të përditshme dhe vazhdon së bashku me të duke menduar për një larmi temash nga botërore deri në lokale dhe shpirtërore, duke prekur fragmente nga e kaluara dhe e tashmja.

Shpëtim Selmani

Mandej, narratori ndërton monologjet e tij të brendshme me një fokus në të dashurën e tij dhe shtatzëninë e saj, dhe ai demonstron transformimin e tij ndërsa përgatitet të bëhet prind. Ai reflekton mbi marrëdhëniet me babanë e tij, mbi marrëdhëniet e tij me letërsinë dhe me nacionalizmin, konsumerizmin dhe izmat e tjerë. Ndjenja e lindjes së një krijese të re bën që narratori të marrë parasysh preokupimet e tij nga një kënd i ri dhe i ndryshëm. Tregimi mbyllet me aktin e emërtimit të djalit të tij të porsalindur, duke aluduar në fuqinë e referencës së gjuhës.

Çmimi i Bashkimit Europian për Letërsi (EUPL) synon të vendos në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore të Europës në fushën e fiction, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Europës dhe të inkurajojë interesim më të madh për veprat letrare jo-kombëtare.

“Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në këtë garë të rëndësishme europiane dhe ndihem jashtezakonisht i lumtur me çmimin. Dhe shpresoj që kjo të jetë një mundësi e mirë për hapjen e horizonteve të reja dhe promovimit tonë kulturor në Europë. Ndjehem i humbur dhe i hutuar. Kur mora vesh ndjeva një dhimbje në krahë. Dhe mendova nëse vërtet e meritoja”- rrëfen Shpëtim Selmani për gazeta “Si”.

Ky ishte vit i parë që jo vetëm Selmanit, por shkrimtarëve nga Kosova iu dha mundësia që të marrin pjesë për Çmimin Letrar të Bashkimit Europian. Sëbashku me Selmanin për këtë çmim garonin edhe Azem Deliu e Majlinda Bregasi.

Kurse të martën Shpëtim Selmani, me veprën e tij “Libërthi i dashurisë”, u shpall laureat i çmimit, bashkë me 12 shkrimtarë të tjerë.

Fituesit, përfshirë edhe Selmanin, do të marrin një shpërblimin prej 5.000 eurosh dhe do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave.

Po ashtu do të botohet edhe një antologji vjetore me fragmente nga veprat fituese të këtij çmimi, duke synuar një audiencë më të gjerë dhe qarkullim të teksteve në gjuhët europiane.

Çmimi Letrar i Bashkimit Europian bën pjesë të një  gare shkrimtarë nga 41 vende, të cilat janë pjesë e programit “Europa kreative” – një iniciativë për të forcuar kulturën europiane. Për herë të parë ishte ndarë në vitin 2009 dhe që atëherë janë përzgjedhur 122 fitues nga 11 edicione.

Shpëtim Selmani lindi në 16 maj 1986. Është laureuar dhe ka një diplomë master nga Akademia e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ai luan në shfaqje teatrore në vend dhe ndërkombëtarisht, dhe ka marrë çmime. Selmani është një kontribues i rregullt i blogut alternativ S'bunker. Ai ishte pjesë e rezidencës letrare ‘Krokodili’ në Beograd, Serbi, në vitin 2014 dhe 3 vjet më vonë mori pjesë në rezidencën letrare ‘Poeteka, Tirana betëeen’ në Tiranë, Shqipëri. Mori pjesë në panairin e librit në Leipzig në 2017. Shpëtim Selmani shkruan prozë dhe poezi. Ai botoi përmbledhjen me tregime të shkurtra (Shënimet e një Grindaveci) në vitin 2012 dhe një përmbledhje poezish ;Poezi në kohërat e gjakut dhe dëshpërimit  në 2010 me një botim të dytë në 2017, botuar nga Multimedia në Priština. “Libërthi i Dashurisë” u botua në vitin 2019 nga Armagedoni në Prištinë, dhe është duke u përkthyer në Bullgarisht. Botimi i tij u mbështet nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Rinisë së Kosovës.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë