Politike

Shpëtim Idrizi i shtrin dorën e bashkëpunimit Vangjel Dules

Kauza e opozitës së bashkuar për të larguar Kryeministrin Edi Rama, që e akuzon për lidhje me krimin duket se është më e madhe se “mëritë” e vjetra të Shpëtim Idrizit të PDIU-së dhe Vangjel Dules së PBDNJ-së.

I ulur në krahun e djathtë të Lulzim Bashas gjatë kuvendit opozitar të organizuar këtë herë në qytetin e Vlorës, kreu i PDIU-së ftoi tërthorazi Vangjel Dulen që të mos i largohet koalicionit opozitar. Por vetë Dule nuk ishte i pranishëm në këtë tryezë.

“Nuk kemi ardhur këtu të zhvendosim askënd. Kemi ardhur si vlerë e shtuar. Jemi në habitatin tonë, edhe për prioritetet që ne kemi. Të gjithë ndajmë bashkë çfarë po ndodh përditë në vend”, tha ai.

Ajo që po ndodh, sipas Idrizit, është një krizë e gjithanëshme në vend, që nga ekonomia, krimi e deri tek shteti ligjor.

“Kjo maxhorancë prej 5 vjetësh ka çuar ekonominë në drejtim të paditur. Shqiptarët po varfërohen çdo ditë, ndërsa Rama ndan koncensionet me një grup oligarkësh”, deklaroi ai.

Shpëtim Idrizi ndan bindjen se në shifra, opozita e sotme e bashkuar është në mazhorancë.

“Sot si raport forcash jemi në mazhorancë, por ka ardhur dita ‘ui japim shqiptarëve ofertën dhe zgjidhjen tonë për të gjithë problemet që kanë, ekonominë, krimin, vendosjen e shtetit ligjor”, thotë ai.

Derën hapur për Vangjel Dulen e la edhe Lulzim Basha, që u pyet për këtë fill pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Shpëtim Idrizin. Nga vetë Vangjel Dule nuk ka ende një reagim zyrtar për qëndrimin që do të mbajë partia e tij, por një thirrje për t’u larguar ja ka bërë organizata e minoritetit grek, Omonia.

Përmes një deklarate publike, kjo organizatë e cilëson një “kontaminim të panevojshëm të aksionit opozitar” afrimin e PDIU-së dhe i bën thirrje Vangjel Dule që të rishikojë qëndrimin në këtë koalicion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë