Bota

Shpërthen vullkani ‘Semeru’ në Indonezi, 13 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur (Foto)

Numri i viktimave nga shpërthimi i vullkanit “Semeru” në ishullin indonezian Xhava, ka shkuar në të paktën 13. Kjo është bërë e ditur nga agjencia kombëtare e menaxhimit të fatkeqësive, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë nëpër mbeturinat ellavës djegëse.

Dhjetë persona u nxorën të gjallë. Të paktën 57 persona u plagosën nga shpërthimi, duke përfshirë 41 të djegur. Fshati Lumajang ishte i mbuluar me një shtresë të trashë llave dhe hiri. Banorët e një duzinë fshatrash të tjerë, duhej të kalonin natën në çadra dhe xhami.

Rrugët dhe urat janë dëmtuar dhe tymi i madh që ka kapluar zonën po pengon punën e ekipeve të shpëtimit dhe evakuimit. Zyrtarët ngritën çadra për evakuim jashtë perimetrit prej pesëkilometrash nga krateri i vullkanit.

Shpërthimi i fundit i madh i “Semeru”-s, ishte në dhjetor 2020. Indonezia ndodhet në të ashtuquajturin Brez të Zjarrit të Paqësorit, ku takimi i pllakave kontinentale shkakton aktivitet të fortë sizmik.

Ky arkipelag i Azisë Juglindore ka rreth 130 vullkane aktive në territorin e tij. Në fund të vitit 2018, shpërthimi i një vullkani midis ishujve Xhava dhe Sumatra shkaktoi një cunami që shkaktoi gati 400 viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë