Media Galeri

Shpërthen në Hawaii vullkani më i madh në botë

Vullkani më i madh aktiv në botë, Mauna Loa i Hawaii-t, ka shpërthyer për herë të parë në pothuajse 40 vjet.

Deri më tani çdo gjë është në kontroll por banorët janë vënë në dijeni për rrezikun që mund të kenë.

“Asnjë urdhër evakuimi nuk është lëshuar dhe zonat e populluara nuk ka gjasa të preken në këtë fazë”, thonë zyrtarët e emergjencës.

Gjithsesi Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS) ka thënë se situata mund të ndryshojë me shpejtësi.

Mauna Loa, i vendosur brenda Parkut Kombëtar të Vullkaneve të Hawait, mbulon gjysmën e ishullit të madh të shtetit amerikan. Vullkani ngrihet 4169 metra mbi nivelin e detit dhe përfshin një sipërfaqe prej më shumë se 5179 km katrore.

Sipas USGS, Mauna Loa ka shpërthyer 33 herë që nga viti 1843. Shpërthimi i mëparshëm në 1984 dërgoi rrjedha lavash rreth 10 kilometra nga Hilo, qyteti më i populluar i ishullit.

Mauna Loa është vullkani më i madh aktiv në botë. Ka vullkane të tjera më të mëdha, por këto janë klasifikuar si të fjetur, që do të thotë se nuk kanë shpërthyer për një kohë të gjatë, ose janë shuar, që do të thotë se janë pothuajse të sigurt se nuk do të shpërthejnë në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë