Lajme

Shpërndanin lëndë narkotike, 3 të arrestuar në Tiranë

Në sajë të operacioneve “Shigjeta” e “Shqiponja”, Policia e Tiranës ka goditur dy raste të shpërndarjes së lëndës narkotike.
Si rezultat i këtyre operacioneve, janë vënë në pranga 3 të rinj dhe 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
Policia bën me dije se janë vënë në pranga shtetasit:
B. Gj., 29 vjeç, banues në Tiranë;
K. A., 25 vjeç, banues në Tiranë;
Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve, në rrugën “Dritan Hoxha”, policia u ka gjetur 19 doza me lëndë të dyshuar kanabis. Këta shtetas për shitjen e lëndës narkotike me bazë porosie, në katin e parë të një pallati, shfrytëzonin pjesën e jashtme të murit të një bilardoje, ku mbanin dhe linin për shitje lëndën narkotike.
Gjithashtu në vijim të kontrolleve të ushtruara në rrugën “Petro Marko”, u arrestua në flagrancë shtetasi K. D., 25 vjeç, banues në Tiranë (me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve).
Ndërkohë është proceduar në gjendje të lirë shtetasi D. A., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Siç njofton policia, në rrugën “Petro Marko”, këta dy shtetas kanë qenë duke qëndruar së bashku dhe në momentin policia është afruar për kontroll shtetasi K. D. ka hedhur në shkurre një qese me 34 doza me lëndë të dyshuara kanabis.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë