Ka ndodhur

Shpërndanin kokainë e kanabis, arrestohen burrë e grua në Fier

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin policor të koduar “SHTEGËTARI”, duke vënë në pranga një çift bashkëshortësh në Fier me akuzat për falsifikim të monedhave dhe shpërndarje droge.

Të arrestuarit janë Edmond Bishani, 56 vjeç dhe Rovena Bishani, 44 vjeçe, banues në Fier (bashkëshortë).

“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “SHTEGËTARI”, në kuadër të të cilit u kapën dhe ndaluan shtetasit Edmond Bishani, 56 vjeç dhe Rovena Bishani, 44 vjeçe, banues në Fier (bashkëshortë)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se gjatë hetimit disamujor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, rezultoi se këta shtetas merreshin me veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të falsifikimit të monedhave.

Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre të marrë me qira në Fier, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 28 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe 24 doza me lëndë narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu për këta shtetas, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, pasi bashkëshortët në qytetin e Lushnjës dhe Divjakës, në kohë të ndryshme kanë blerë artikuj me kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, ku janë dokumentuar 3 raste në muajt korrik dhe dhjetor 2020.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Falsifikimi i monedhave”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë