Rend dhe Ligj

Shpërdoroi tokën në lumin e Shushicës, gjobitet me 2 mln lekë firma në Vlorë

Policia e Vlorës dhe IKMT ka kontrolluar 3 subjekte që merren me shfrytëzimin e zhavorrit të lumit Shushicë, njëri prej të cilëve është konstatuar duke punuar në shkelje.

Policia ka nisur procedimin penal ndaj njërës prej firmave të shfrytëzimit të zhavorrit, me administrator shtetasin P. Sh, pasi ka grumbulluar materiale inerte si dhe ka ndryshuar destinacionin e tyre duke shpërdoruar tokën.

IKMT ka vënë gjobë 2 milionë lekë (të reja) ndaj subjektit, në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të konstatuar.

Gjithashtu është penalizuar një subjekt me vendim për gjobë 500.000 lekë dhe vendim për prishje objekti të ndërtimit pa leje në Rezervatin Natyror të Menaxhuar të Karaburunit, Vlorë.

Ndërkohë, Policia e Sarandës ka nisur procedimin penal ndaj shtetasve N. O dhe I. Xh, pasi në lagjen Nr. 1 Sarandë dyshohet se kanë hedhur inerte në një sipërfaqe toke, duke ndotur kështu mjedisin.

IKMT ka marrë masën e dënimit me gjobë 500.000 lekë dhe vendim për prishje në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të konstatuar.

Ndërkohë, vijojnë veprimet e mëtejshme për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë