Libra

Shpallen tre finalistët e Nobelit alternativ në letërsi

Tre finalistët për çmimin e Akademisë së Re në Letërsi, krijuar në mungesë të Nobelit këtë vit, nga e majta: Maryse Condé, Kim Thúy and Neil Gaiman. FOTO: ADRIAN

Brenda Cronin/ WSJ – Në një vit kur Akademia Suedeze nuk do të akordojë asnjë laureat për Nobelin e Letërsisë, një organizatë jofitimprurëse e quajtur Akademia e Re, po synon të mbushë hendekun. Më 12 tetor, në Stokholm, në vazhdën e shpalljeve të çmimeve Nobel, juria e Akademisë së Re, drejtuar nga veterania e industrisë së botimeve Ann Pålsson, do të shpallë fituesin e Çmimit të Ri në Letërsi. Organizata lindi pasi Akademia Suedeze shpalli në maj se do të shtyjë Nobelin e Letërsisë për një vit.

Akademia e Re i qëndroi kalendarit të Nobelit, ku fituesit shpallen në muajin tetor dhe e marrin çmimin në dhjetor, por është ndarë nga tradita duke e hapur më shumë vendimmarrjen. Në fillim të verës, librarët nëpër Suedi kandiduan 47 autorë, përfshi Don DeLillo dhe Elena Ferrante.Më pas publiku iu bashkua dhe,  pas më shumë se 30 mijë votimeve online, lista u tkurr deri në katër finalistë: Maryse Condé, Neil Gaiman, Haruki Murakami dhe Kim Thúy. Znj. Pålsson dhe tri anëtarët e jurisë, të gjithë personalitete  në letërsinë dhe artet suedeze, do të zgjedhin fituesin.

Haruki Murakami u shpall si finalisti i katërt për çmimin e Akademisë së re, por u tërhoq nga konsiderata. Foto: Reuters.


Z.Murakami, romancieri japonez, i njohur për libra si “Kafka në breg” dhe “Pylli norvegjez” e tërhoqi emrin nga konsiderata. Znj.Condé, një autore dhe akademike 81-vjeçare e lindur në Guadeloupe, në Karaibe, debutoi si romanciere më 1980-ën, me “Segu”, një sagë e nxjerrë nga historia afrikane. Pasi dëgjoi lajmin ajo u shpreh “Isha shumë e lumtur dhe tejet krenare. Nuk kam qenë kurrë në qendër të vëmendjes.”Znj. Thúy, 50 – vjeç, është lindur në Vietnam dhe kur ishte vajzë e re e la vendin për të jetuar në Kanada. Ai udhëtim i dha materiale për tre romanet e saj, përfshi edhe debutuesin “Ru”, botuar më 2009-ën.“M’u drodhën gjunjët”, ka thënë znj. Thúy kur mësoi se ishte finalistja, megjithëse ka në plan të jetë duke fjetur kur të shpallet fituesi. “Do të ishte e gabuar për mua të fitoja”, ka thënë ajo, ndërsa ka shtuar se tre librat e saj as nuk vlejnë as sa “një libër të secilit në atë listë”.

Z. Gaiman, 57 – vjeç, britanik , njihet për romanet e tij me grafika ( seria “Njeriu i Rërës”) si edhe për librat për fëmijë (“Coraline”) dhe për të rritur (“Oqeani në fund të korsisë”). Pasi mësoi përmes Twitter-it, në fillim që ishte në listën e gjatë e më pas finalist, ai gjithashtu i kishte pritshmëritë e ulëta, duke thënë se vetëm fakti  që ishte kandiduar ishte emocionues. “Është bukur të vendosesh në shoqërinë e 47 autorëve të shkëlqyer nga e gjithë bota,” ka thënë ai, duke përmendur Margaret Atëwood, J.K. Rowling dhe Chimamanda Ngozi Adichie.“Ajo që më pëlqeu më shumë ishte përfshirja e librarëve në proces.”

Akademia Suedeze e anuloi këtë vit Nobelin e Letërsisë në përpjekje për të marrë veten nga skandali mbi akuzat për sulme seksuale, duke thënë se do të japë dy çmime vitin tjetër. Njeriu në qendër të skandalit, Jean-Claude Arnault, u shpall fajtor dhe u dënua me dy vite burg. Ky nuk është viti i parë pa Nobel në Letërsi; Akademia Suedeze i ka shpallur ato qysh prej vitit 1901, por nuk ka asnjë gjatë shtatë viteve të zhvillimeve të luftës së parë dhe të dytë botërore.Lajmet për anulimin e këtij viti habitën shumë njerëz në qarqet artistike dhe ato të botimit në Suedi. “Ne e duam çmimin Nobel dhe u trishtuam kur thanë se nuk do të akordohet,”, ka thënë znj. Pålsson.

Çmimi Nobel 

Alexandra Pascalidou, gazetare dhe shkrimtare suedeze, rreshtoi dhjetëra vullnetarë në formimin e Akademisë së Re, duke krijuar një uebsajt dhe duke shpërndarë fjalën në mediet sociale. “Mendova se duhet të behnim diçka të re”, ka thënë znj. Pascalido. “Ndaj thirra atë që mund ta bënin.” Në qershor, znj. Pålsson, e cila  ka redaktuar librin më të fundit të autores Pascalidou, u vendos në krye të jurisë. Për të mbuluar shpenzimet dhe për të ngritur një çmim monetar (Laureati i Nobelit të Letërsisë merr më shumë se 1 milion dollarë), Akademia e re ka listuar sponsorë, ngritje fondesh dhe po shet bluza dhe kapakë iPhone-ësh. Faqja ka vendosur një synim prej 250 mijë krunash suedeze, afro 28 mijë dollarë dhe deri tani ka arritur të mbledhë më shumë se 9 mijë dollarë. Kjo Akademi planifikon të mbyllet pas ceremonisë së çmimit dhe kremtimeve në dhjetor. Në atë pikë, znj. Pålsson ka thënë “Mendoj se do të jemi shumë të lumtur dhe të lodhur.”

Nëse çmimi do të ketë jehonën që ka Nobeli mbetet pyetje e hapur. “Nuk e di nëse duhet të presim shitjet që presim nga një fitore e Nobelit”, ka thënë Rachel Cass, menaxhere blerjesh dhe inventarësh në Arkivin e Librave të Harvardit, në Kembrixh, Masaçusets. Çmimi i Akademisë së Re nuk ka gjasa të ketë të njëjtën përmasë si Nobeli, ka thënëJake Reiss, themelues i Alabama Booksmith, i cili shet vetëm libra të rinj të autografuar nga autorët. Ka disa me autografin e Gaiman në duar,  por asgjë nga znj. Condé apo znj. Thúy.E megjithatë, ai e ka duartrokitur përpjekjen e Akademisë së re, si më mirë sesa asgjë fare.

 

Më Shumë