Lajme

Shpallen fituesit e tenderit, i çelet rruga ndërtimit të Lotit 1 të Unazës së Re

Loti i Parë i Unazës së Re ka më në fund fituesin. Me ofertën e bërë me vlerë 1.77 miliardë lekë, bashkimi i kompanive “Salillari” dhe “Bajrami N” është shpallur fitues i tenderit. Fondi limit në këtë segment ishte 2.25 miliardë lekë.

Ky është tenderi i tretë që zhvillohet për të njëjtin objekt.
Tenderi i parë ku ishte shpallur fitues bashkimi i kompanive “DH Albania” dhe “BibaX”, rezultoi se ishin falsifikuar dokumentat, u anullua dhe gara u rihap.
Gjatë tenderimit, u skualifikuan “2 T” SHPK & “G.P.G COMPANY”; “ALB-BUILDING” SHPK & “EUROTEOREMA” SHPK & “LIQENI VII” SHA & “COMMUNICATION PROGRES” SHPK; “GENER 2” dhe “GJOKA KONSTRUKSION”

Në tenderin e dytë nuk u plotësuan kriteret nga asnjë kompani. Tenderi për “Lotin 1” u hap për të tretën herë më 14 qershor dhe u mbyll më 22 korrik, në të cilin u vendos që projekti të ndryshohej nga rrethrrotullim me nënkalime dhe mbikalime, në kryqëzim me nënkalime.
Në shtator Komisioni i Prokurimit Publik do të rrëzonte ARRSH-në. Vendimi i KPP do të lidhej konkretisht me procedurën “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rreth rrotullimi Shqiponja”, Loti I”. Në atë periudhë ARRSH u ndesh me replikat e dy prej pesë kompanive që u skualifikuan menjëherë nga gara, “Salillari” dhe “Bajrami N”. Duke u nisur nga ky ankimim i depozituar nga Bashkimi i Operatorëve “Salillari” dhe “Bajrami N”, KPP rrëzoi vendimin e ARRSH duke sjellë ndryshim në lidhje me fituesin e tenderit të atëhershëm, Bashkimi i Operatorëve “Vëllezërit Hysa”.

Por më 23 gusht kompanitë ankimuan vendimin dhe përfundimisht ka qenë Komisioni i Prokurimit Publik që u ka dhënë atyre të drejtë, duke vendosur përfundimisht të japë dakordësinë në favor të tyre. Sot është zbardhur edhe vendimi i Komisionit, që zyrtarizon shpalljen e fituesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë