Rend dhe Ligj

Shorti, KED drejt ngecjes, anëtarët rrezikohen nga Vettingu

Ngritja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mund të sjellë mos funksionim të këtij institucioni të përkohshëm. Shorti i parashikuar për t’u hedhur nga ana e Kuvendit më 7 dhjetor rrezikon të krijojë një institucion që mund të mbesë në letër, për shkak të problemeve që mund të kenë anëtarët e propozuar me procesin e Vettingut. Shqetësimi ngrihet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili nëpërmjet një raporti monitorues pasqyron listën e anëtarëve, të cilët janë ende në proces apelimi të Vettingut.
“Aktualisht ka një sërë çështjesh që mund të krijojnë pengesa për hedhjen e shortit për KED 2019 dhe rrjedhimisht mund të vonojnë konstituimin e tij. Është e paqartë se si do të konsiderohen anëtarët e shortuar në vitet e kaluara dhe të vettuar me sukses, me vendime të formës së prerë të organeve të Vettingut, sa kohë nuk kemi ende një konstituim me legjitimitet të plotë në drejtim të ushtrimit të kompetencave të KED-së. Kjo pasi nuk është plotësuar kuromi i kërkuar me 5 anëtarë, të rivlerësuar (vettuar) me përparësi me sukses, çka do të mundësonte vlefshmërinë ligjore të mbledhjeve të KED-së dhe rrjedhimisht do të mundësonte vendimmarrje efektive të këtij institucioni”, thuhet në raportin e KSHH-së.

Vitore Tusha, anetere e Gjykates Kushtetuese, e propozuar nga Presidenti Meta si kryetare e KLSH-së

Gjykata Kushtetuese e mbetur me dy anëtarë Bashkim Dedjen dhe Vitore Tusha mund të shkaktojë mos përfaqësim të këtij institucioni në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Kjo për faktin se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja akoma nuk i ka mbyllur “hesapet” me me procesin e Vettingut. Vendimi i KPK-së është apeluar nga komisionieri publik dhe se Komisioni i Posaçëm i Apelimit do të mblidhet me datën 12 dhjetor, 5 ditë pas hedhjes së shortit të parashikuar nga Kuvendi.

Ndërsa Vitore Tushaj është propozuar nga ana e presidentit Ilir Meta si kandidate për t’u emëruar në krye të Kontrollit të Lartë Shtetit. Nëse vendimi i KPA rrëzon Dedjen dhe Kuvendi zgjedh Vitore Tushën kryetare të KLSH-së, atëherë Gjykata Kushtetuese do të mbesë pa anëtarë të saj në KED. Kjo gjykatë për shkak të vakancës që ka nuk ka as kandidatë zëvendësues. Tusha është një anëtare në detyrë, pasi asaj i ka mbaruar mandati. Ndërkohë dhe Adrian Dvoranit i ka mbaruar mandati si anëtar në Gjykatën e Lartë, po qëndron në këtë detyrë. Edmond Islamaj, anëtar i Gjykatës së Lartë është në pritje të vendimit të KPA-së sa i përket procesit të Vettingut. Seancën e radhës anëtari Islamaj e ka më 11 dhjetor.   

“Për vitin 2019, ka një shkallë më të lartë probabiliteti për krijimin e KED, referuar emrave që janë propozuar deri më tani, pasi një pjesë e këtyre anëtarëve rezulton se e kanë kaluar me sukses vettingun me vendim të formës së prerë. Megjithatë, në listën e emrave të propozuar nga institucionet përkatëse, në varësi edhe të rezultateve që do të prodhojë shorti i hedhur nga Kuvendi, sërish mund të mos sigurohet kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje, nëse të paktën 5 prej anëtarëve të shortuar nuk e kalojnë në mënyrë të suksesshme rivlerësimin kalimtar me përparësi. Referuar emrave që janë propozuar deri më tani, pasi një pjesë e këtyre anëtarëve rezulton se e kanë kaluar me sukses vettingun me vendim të formës së prerë. Megjithatë, nëse Znj. Vitore Tusha emërohet kryetare e Kontrollit të Larte të Shtetit, nuk do kemi kandidate të mjaftueshëm nga Gjykata Kushtetuese, pasi kërkohen 2 anëtarë nga ky institucion. Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se në qoftë se ky emërim ndodh pas zgjedhjes si anëtare e KED, kjo nuk pengon konstituimin dhe rrjedhimisht as vlefshmërinë e mbledhjeve të KED-së nëse të paktën 5 anëtarë të shortuar kalojnë me sukses vettingun, me vendime të formës së prerë” , thuhet në raportin e KSHH-së.

Nga shorti i mëparshëm në KED, i hedhur nga Kuvendi

Nga Prokuroria është propozuar vetëm një emër për anëtar, për dy vendet e prokurorëve nga prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit verën se duhet vlerësuar nëse institucionet do të përfshijnë në short edhe kandidatët të cilët nuk kanë mbaruar shkollën e magjistraturës. Ndërsa nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka ndonjë informacion publik mbi paraqitjen e kandidatëve të mundshëm

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një nga institucionet e rëndësishme të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, i cili kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. KED shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale.

Problematikat e shfaqura në drejtim të ngritjes në kohë të KED-së, sipas KSHH-së, kanë reflektuar ndër të tjera në bllokimin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, e cila po përballet me një numër të lartë vakancash, si rezultat i shkarkimit apo dorëheqjeve të një numri të konsiderueshëm anëtarësh për shkak të vettingut ose siç njihet ndryshe, rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

KED përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara në nenin 221/1, të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Përbërja prej 9 anëtarësh e KED-së është: dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë nga gjykatat e apelit, dy prokurorë nga zyrat e prokurorisë pranë gjykatave të apelit, një gjyqtar nga gjykatat administrative. Ata ushtrojnë detyrën me një mandat një vjeçar, që fillon në datën 1 Janar të çdo viti kalendarik. Sipas pikës 3, të nenit 220, dhe sipas pikës 7, të nenit 221, të po të njëjtit ligj, krahas anëtarëve të KED-së, zgjidhen edhe anëtarë zëvendësues të tyre, që zëvendësojnë të parët në rast pamundësie ose të konfliktit të interesit. Pikërisht në shumicën e rasteve si në Prokurori apo dhe në Gjykatën Kushtetuese nuk janë propozuar anëtarë zëvendësues.

Korniza e re kushtetuese dhe ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, ndër të tjera parashikon organizimin dhe funksionimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, përkatësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) dhe Shkolla e Magjistraturës.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 vjet nga miratimi i amendamenteve kushtetuese dhe ligjit organik të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, konstatohet me shqetësim se këto institucione tepër të rëndësishme për mbarëvajtjen dhe funksionimin normal të sistemit të drejtësisë nuk janë ngritur ende.

Lista e kandidatëve në KED për të cilin nuk është hedhur shorti

Gjykata Kushtetuese
Bashkim Dedja- më 12 dhjetor seanca publike KPA për Vettingun
Vitore Tusha- e konfirmuar nga Vettingu, e propozuar nga presidenti për kreun e KLSH

Prokuroria e Përgjithshme
Arta Marku- e konfirmuar nga Vettingu

Prokurorite e Apeleve
Fatjona Memçaj- e konfirmuar nga Vettingu

Gjykata e Lartë
Edmond Islamaj - i konfirmuar nga KPK, ankimuar KPA, më 11.12.2018 seanca e radhës
Ardian Dvorani -i konfirmuar
Medi Bici- i konfirmuar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë