Libra

Shoqata Ndërkombëtare e Botuesve, letër Ramës për problemet e librit në Shqipëri

foto ilustruese per botimin e librave

Nga Gazeta Si - Shoqata Ndërkombëtare e Botuesve i ka dërguar një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama, duke i paraqitur shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar të botuesve, për problematikat e librit në Shqipëri.

Sipas Shoqatës së Botuesve Shqiptarë kjo letër vjen  pas heshtjes së Ministrisë së Kulturës për problematika që shoqata ka ngritur herë pas here për shkeljet e të drejtave të autorit nga fotokopjimet masive, shtypshkrimet ilegale dhe shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e formateve elektronike të librave nga faqe apo site të shumta.

Në letrën nga José Borginho, Sekretar i Përgjithshëm i IPA, me qendër në Gjenevë një ndër problematikat që theksohet është kopjimi i ekzagjeruar i librave për përdorim shkollor.

“IPA është e shqetësuar për fotokopjimet e pakontrolluara, ilegale të librave, sidomos atyre që janë pjesë e kurseve të arsimit të lartë. Ndërsa shumë juridiksione lejojnë një fotokopjim të kufizuar, të paguar të librave për përdorim shkollor, me sa kuptojmë ne, situata në Shqipëri është e ekzagjeruar, me qendrat (dyqanet) e printimeve që shpallin edhe çmimet për fotokopje të plota të botimeve të caktuara. Ky aktivitet i paligjshëm ka pasur një ndikim të dukshëm negativ në shitjet legjitime të librave në Shqipëri”, lexohet në letër.

Një tjetër problem që Shoqata Ndërkombëtare e Botuesve ngre është pirateria, pasi shtypshkronja të paidentifikuara prodhojnë kopje të rreme të librave fizikë dhe që këto kopje gjenden madje edhe nëpër librari.

Të tjera shqetësime sipas tyre janë edhe liria e botimit dhe marrja e ISBN.

“IPA është e shqetësuar se në procesin e marrjes së ISBN-ve janë bërë ndryshime që duket se e shmangin Agjencinë shqiptare të akredituar të ISBN-ve (Bibliotekën Kombëtare) në favor të një uebsajti të kontrolluar nga qeveria. Për më tepër, ky proces kërkon që të ngarkohet një kopje e librit, diçka që normalisht nuk duhet të jetë e nevojshme për marrjen e ISBN-së. IPA do të informojë për këtë International ISBN Agency në Londër (që akrediton agjencitë kombëtare të ISBN)”, vijon letra.

Në fund, letra mbyllet duke shpresuar që këto problematika të zgjidhen.

Kjo letër u është dërguar për dijeni edhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe ministres së Kulturës, Elva Margariti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë