Lajme

Shoqata e policisë: Drejtësia e kapur rivrau 4 dëshmorët

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, i cili ka rrëzuar vendimin për burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin ka shkaktuar reagimin dhe zemërimin e Shoqatës së “Punonjësve të Policisë në Lirim 2013”.

Kjo e fundit, në një deklaratë për mediat, e indinjuar nga vendimi bën me dije se ky rast “dëshmon qartazi jo vetëm kapjen e sistemit nga Krimi, por mbi të gjitha provon lidhjet e forta të sistemit drejtesisë me krimin e organizuar. Odisea e pafund e kësaj çështjeje, sa në dhomat e drejtësisë e paradhomat pushtetit të krimit, bëri të mundur që autori, i vrasjes së katërfishtë të oficerëve të policisë në detyrë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm”.

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim 2013, e cilëson këtë një “vendim skandaloz , që ka tronditur gjithë opinionin publik shqiptar”, por mbi të gjitha thekson se “është një goditje shumë e rëndë që i jep organizatës së Policisë së Shtetit dhe gjithë punonjësve të saj, të cilët nga sot ndjen më të kërcënuar, më të braktisur, më të demotivuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe të tradhëtuar krejtësisht nga ata që duhet të garantonin jetën dhe aktivitetin e tyre”.

Shoqata e “Punonjësve të Policisë në Lirim 2013” shpreh zemëratën më të thellë ndaj këtij vendimi, “i cili rivrau 4 dëshmorët e Atdheut që ranë në krye të detyrës dhe ka hidhëruar zemrat e familjarëve, të afërmëve dhe kolegëve të tyre. Për fat të keq ky vendim dëshmon se krimi i organizuar është në partneritet me Sistemi e drejtesis dhe onturazhin e tij politik, të cilët tashmë provojnë se janë në ortakëri të plotë”.

“Edhe pse realisht jetojmë në simbiozën më të frikshme të pushtetit me krimin, ne u shprehim kolegëve të ndershëm e të përkushtuar në detyrë në Policinë e Shtetit mbështetje tonë më të madhe dhe kemi bindjen se do të bëjnë më të mirën për të respektuar betimin e tyre në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike. Ne jemi të bindur se të gjithë së bashku do t’ ja dalim shumë shpejt të ndalim represionin e krimit”, - mbyllet deklarata.

Ditën e sotme, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë