Biznes

Shoqata e Hidrokarbureve i përgjigjet opozitës: Ne nuk kontrabandojmë. Jemi biznesi më i fiskalizuar

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve reagoi me një deklaratë zyrtare kundër pretendimeve të opozitës se 30 % e naftës që hidhet në treg është e kontrabanduar.

Shoqata tha se nuk dëshiron të përfshihet në debatet politike të ditës por e ndjen detyrim para opinionit publik dhe partnerëve të bëjë transparencë logjike e faktike. Shoqata sqaroi se vetëm shifrat e zhdoganimeve tregojnë qartë se në sektorin e hidrokarbureve ka një rritëm rritje të zhdoganimeve normal me ritmin e rritjes ekonomike dhe mjeteve motorike.
Ecuria e sasisë së zhdoganimit si 9-mujor të karburantit në 10 vitet e fundit – sipas Shoqatës - është:
- Viti 2009 335 mijë Ton
- Viti 2010 362 mijë Ton
- Viti 2011 309 mijë Ton
- Viti 2012 312 mijë Ton
- Viti 2018 378 mijë Ton
- Viti 2019 383 mijë Ton
- Viti 2020 387 mijë Ton
- Viti 2021 462 mijë Ton
“Duke parë 9-mujorin e parë të këtij viti do t’i luteshim autorëve të kësaj akuze se në çfarë sektori mendojnë se konsumohet 30% i kontrabandës së këtij viti, i cili i bie të jetë 138 mijë Ton për këtë vit?’ thotë Shoqata e Hidrokarbureve.
Sipas Shoqatës, “përveç të tjerave në këtë treg operon dhe një kompani që merret me markimin dhe gjurmimin e karburantit të pazhdoganuar, pra kontrabandë e cila për fat është dhe kompani e huaj dhe përveç detyrimit ligjor që ka për të kontrolluar në këtë sektor, ka dhe interes shumë të madh për vete pasi janë miliona euro që do t’i iknin nga malli kontrabandë”.
Biznesët e naftës në Shqipëri, gjithashtu deklarojnë se “duke qenë se sektori i hidrokarbureve është kontribuesi më i madh në buxhetin e shtetit me rreth 1 miliard euro në të gjithë ciklin e tij të tregtimit, vetë qeveritë njëra pas tjetrës kanë nxjerrë vendime që kanë bërë që ky sektor me vite të jetë i fiskalizuar 100%. Që nga shkarkimi i anijeve e deri tek konsumatori i fundit çdo transaksion është online për autoritetet. Ka vite që ndërkombëtarisht është Gjurmimi Satelitor i Trafikut të Anijeve dhe në çdo kohë autoritetet marrin të dhëna për çdo anije që në ngarkese për sasinë, vendin ku ngarkon dhe e kryqëzojnë me deklarimet e tyre në portin e shkarkimit”.
“Jo vetëm nuk ekziston kontrabanda në këtë sektor dhe sidomos në atë të importit, por edhe po të tentohej nga ndonjë subject, është realisht e pamundur të realizohet. Sa më sipër do t’ju luteshim të mos godisni me akuza të pabazuara në këtë sektor pasi është sektori i vetëm i integruar dhe përfshirë në sistemin financiar global dhe akuza të tilla mund të bëjnë që të humbet besimi nga agjentët e bursës që realizojnë çdo ditë në Bursën e Londrës transaksione për llogari të kompanive shqiptare. Gjithashtu, kërcënohet besimi që bankat ndërkombëtare kanë krijuar ndaj subjekteve shqiptare dhe për dijeni i gjithë produkti i depozituar në depozitat tona bregdetare është i financuar prej tyre, shprehet Shoqata e Hidrokarbureve.
Para pak ditësh kreu i PD-së Lulzim Basha tha sipas burimeve të opozitës rezulton se 30% e karburanteve hyjnë kontrabandë. Akuzat u përsëritën edhe nga foltorja e Parlamentit, nga deputeti demokrat Ervin Salianji. Ky i fundit, la të kuptohej gjatë një debati në Top Channel se nafta kontrabandë futet nga “Kastrati”, që është edhe kompania që kontrollon pjesën më të madhe të tregut.
“Basha i tha Ramës, se 30% e naftës vjen kontrabandë. “Kastrati” është një kompani që kontrollon pjesën më të madhe të tregut. Të dhënat që ka opozita sot, janë të tilla. Nuk pati reagim nga qeveria. Kryeministri qesharak nuk dha asnjë shpjegim. Nëse Basha vendos gjoba, pse qeveria që kontrollon drejtësinë, nuk reagon. Është rritur çmimi i naftës, paratë shkojnë tek oligarkët. Të përcaktojmë termat se çfarë është oligarkia. Ndikim në vendimmarrje të qeverisë”, tha Salianji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë