Treg

Shoqata e Hidrokarbureve: Duhet stimul fiskal për biokarburantet

Sipërmarrjet që aktivitetin e tyre e kryejnë në tregun hidrokarbur kanë kërkuar një trajtim fiskal të veçantë për biokarburantet. Po ashtu ata kanë kërkuar edhe subvencione për bujqësinë që do të kultivojë bimët që shërbejnë për prodhimin e këtij lloj karburanti, me qëllim reduktimin e çmimit dhe stimulimin e konsumit.

Kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj gjatë dëgjesës në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ku u diskutua ligji i ri që vendos një objektiv 10% të sasisë së karburantit që konsumtohet në treg të jetë biokarburant, kërkoi gjithashtu që kompanive të mëdha t’u jepet e drejta të tregjtojnë biokarburant ndaj kompanive më të vogla, si një formë për të shmangur monopolet.

Gjithashtu, Shoqatat e Hidrokarbureve kërkoi që kriteret e qëndrueshmërisë, që lidhen kryesisht me format sesi do të prodhohet biokarburanti, të zbatohen nga viti 2025 pasi tregu nuk është gati.

Kompanitë kërkojnë në të njëjtën kohë që aplikimi i gjobave për moszbatimin e këtij ligji të nisë nga data 1 janar 2023, si një masë që do të shmangte edhe korrupsionin.

Deryrimi për përdorimin e biokarburanteve, vjen në kuadër të detyrimeve sipas marrëveshjeve të caktuara që ka vendi ynë për përdorimin e energjive të rinovueshme në masën 38% deri në vitin 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë