Treg

Jashtë bankave qarkullojnë gati 4 mld euro / Shoqata e Bankave: Të kufizohen pagesat cash: Deri në 750 € ose sa paga mesatare

Nga Gazeta 'SI' - Shoqata e Bankave në vend ka propozuar vendosjen e një tavani për pagesat në cash, deri në 750 euro ose sa paga mesatare kombëtare.

Propozimi i Shoqatës vjen në një kohë kur vendi është ‘përmbytur’ nga paraja e thatë jashtë sistemit bankar. Deri në shtator 2023, ky tregues ishte pothuajse 4 mld euro, me një rritje 200 mln euroshe nga shtatori 2022.

Sipas burimeve të Gazetasi.al nga sistemi bankar, fluksi i parave cash gjatë këtij viti, specifikisht sezonit veror ishte i frikshëm. Ata tregojnë se shifrat ishin dyfishuar nga një vit më parë dhe askush nuk mund ta arsyetonte.

Në gusht të këtij viti, Komisioni Europian i propozoi Shqipërisë vendosjen e një tavani për paratë e thata si një mekanizëm kundër pastrimit të parave dhe digjitalizimin e pagesave.

Komisioni Europian vlerësontëe se vendi ynë nuk ka ende përputhje të plotë me kuadrin e BE-së mbi hetimin e pastrimit të parave.

Paraja e thatë në Shqipëri vazhdon të jetë dominuese si nga bizneset edhe nga konsumatorët. Për të reduktuar këtë më herët, ministria e Financave sugjeroi që të gjithë bizneseve t’u vendoset një tavan për sasinë e parave në arkë.

Pagesat me para cash ngelen dominuese në ekonominë shqiptare, megjithëse në vitet e fundit po vërehet një rritje e pagesave me instrumente alternative, kryesisht me karta bankare. Përdorimi i lartë i parasë fizike në transaksionet e ekonomike favorizon informalitetin dhe krimin financiar, përfshirë këtu pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë