Futboll

Shokon Bekenbauer: Mendoj më shpesh për vdekjen, koha është e kufizuar

Vite të vështira për shumë arsye. Franc Bekenbauer po shfaqet gjithmonë e më rrallë në publik. Në korrik të 2015-ës humbi djalin e tij, Stefanin, që vuante nga një tumor në tru. “Kajzeri” është gjendur në mes të polemikave për faktin se ka ndikuar në zgjedhjen e Gjermanisë vend organizator i Botërorit të 2006-ës dhe i është dashur të përballojë operacione të ndryshme.

Për këto arsye, dy ditë para 75-vjetarit të lindjes, ai ka pranuar se ndryshuar mënyrën e të jetuarit. "Përvjetori i 50-të nuk më bëri përshtypje, as i 70-i, - ka thënë Bekenbauer për “Bild”. – Kurse tani që jam 75 vjeç, për herë të parë po mendoj për vdekjen. Shpresoj që Zoti i madh të më japë ende vite, por në këtë moshë nuk i dihet. Tani e kupton se koha është e kufizuar dhe kjo sigurisht që të bën të reflektosh”.

Bekenbauer dhe Guardiola. Gazeta Si, 9 shtator 2020

Megjithatë, ish-futbollisti legjendar e më pas drejtues i futbolli, nuk ka frikë. "Pse duhet të stresohem për një gjë që nuk mund ta ndryshoj dot? E di që do të ndodhë, do të vdes. Vetëm se në këtë moshë mendon më shpesh se më parë për këtë gjë. Nuk shkoj aq shpesh në kishë, por lutem rregullisht. I jam mirënjohës Zotit për jetën e bukur që kam pasur. Besoj se është e drejtë ta falënderoj çdo ditë", - shton Bekenbauer.

Ai pranon se jeta e tij ka ndryshuar shumë tashmë. "Disa gjëra që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit, operacionet që kam pasur, historia e Botërorit të 2006-ës, kanë ndikuar. Shoh që tani pranohet fakti se nuk ka ndodhur asgjë në 2006-ën, por ajo ngjarje më ka goditur. Pas operacionit në zemër nuk pi më alkool. Njëherë e provova të pija pak dhe pata probleme. Tani qëndroj larg pijeve, sepse mund të jetohet edhe kështu. Shkoj shpesh në pishinë, eci në ujë, më pëlqen", - shpjegon Bekenbauer. Janë gjëra të dobishme për të pasur ekuilibër. Është e nevojshme pas viteve të vështira që ai ka kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë