Sport

Shokohet bota e golfit, vritet në Amerikë spanjollja Barquin

Bota e golfit është shokuar nga vrasja e 22-vjeçares spanjolle, Celia Barquin Arozamena, premtim i madh për këtë sport, që në korrik kishte fituar “European Ladies Amateur Championship” në Sllovaki. Trupi i Barquin është gjetur në fushën e golfit të Coldwater Links, në Iowa. Një grup studentësh gjeti një çantë të braktisur në “rrethana të çuditshme” dhe policia, e alarmuar, gjeti më pas trupin e Barquin pak më larg. Ishin të dukshme në trup shenjat e agresionit fizik, por për të saktësuar shkakun kryesor të vdekjes do të shërbejë autopsia. Deri tani është bërë me dije se në trup spanjollja kishte plagë të marra nga armë të ftohta përreth qafës.

Policia ka ndaluar një bashkëmoshatar të golfistes. Emri i tij është Collin Daniel Richards, i cili duhet t’u përgjigjet akuzave për vrasje. Richards jetonte në një tendë pranë fushës së golfit dhe kohët e fundit i kishte treguar një të njohuri të tij se kishte fiksim të dhunonte dhe të vriste një femër. Zyrtarët e policisë kanë thënë se Richards kishte shenja në fytyrë dhe një të çarë të thellë në dorën e majtë. Atij i është gjendur edhe një thikë.

Celia Barquin Arozamena, golfistja e vrarë

22-vjeçarja spanjolle sapo ishte zgjedhur atletja e vitit në Universitetin e saj. “Një humbje tragjike dhe e paimagjinueshme”, - ka thënë presidenti i Universitetit të Ioza, Wendy Wintersteen. Barquin, e lindur në Puente San Miguel të Spanjës, mori pjesë në “US Open” në qershor. “Që në lice ishte një nga golfistet më të mirë të Spanjës”, - shkruhet në biografinë e publikuar nga Universiteti, ku ajo studionte për inxhinieri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë