Treg

Shok historik në kërkesën e përdorimit të energjisë në botë

Përdorimi i energjisë botërore ka pësuar një goditje kaq të madhe nga pandemia e koronavirusit sa është njëlloj si të jetë fshirë e tërë kërkesa për energji nga e tërë India, një vend me 1.3 miliardë banorë dhe vendi i tretë në botë përsa i përket konsumit të energjisë.

Ky informacion vjen nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (ANE) e cila shprehet në një raport të publikuar sot se kërkesa për energji mund të bjerë me 6% këtë vit nëse karantinimet vazhdojnë për disa muaj e rimëkëmbja ekonomike rezulton të jetë e ngadaltë.

Ky skenar është shumë i mundur shprehet ANE-ja, duke shtuar se shkalla e rënies do të jetë shtatë herë më e madhe se rënia që erdhi pas krizës financiare të 2008-ës. Kërkesa për elektricitet pritet të bie me 5% në 2020-n, rënia më e madhe kjo që prej depresionit të madh.

Foto e perëndimit të një rafinerie nafte në Teksas, 8 prill 2020. Foto: AP Photo/Eric Gay

“Ky është një shok historik për të tërë botën e energjisë”, shprehet Fatih Birol, drejtues ekzekutiv i ANE-së në një deklaratë për shtypin. “Është akoma shumë herët për të përcaktuar impaktin afatgjatë, por një gjë është e sigurt se industria e energjisë pas kësaj krizeje ka për të qënë shumë ndryshe”.

Kërkesa për qymyr, naftë dhe gaz ka rënë në mënyrë të skajshme si rezultat i izolimeve për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit. Ky izolim ka frenuar aktivitetin ekonomik dhe e ka çuar udhëtimin ajror thuajse në paralizë totale. Kërkesa për naftë ka rënë me 9% duke fshirë kështu plot tetë vite rritjeje.

Veçse energjia e rinovueshme ka qëndruar konsistente, me kërkesën për elektricitet të gjeneruar nga era dhe dielli që pritet të rritet me 1% në 2020-ën. Kostot e ulëta të operimit gjithashtu kanë nxitur një rritje në këtë sektor.

Rënia e përdorimit të energjisë është shkaktuar më së shumti nga vendet me ekonomi të zhvilluar, sipas ANE-së. Agjencia parashikon se kërkesa për përdorimin e energjisë do të bie me 9% në ShBA dhe me 11% në BE.

Disa vende në BE dhe në ShBA po nisin të heqin masat karantinuese në mënyrë që të rinisin gradualisht ekonomitë e tyre. Ritmi me të cilin do të lehtësohen masat kufizese do të ketë një efekt madhor në përdorimin e energjisë. ANE-ja përllogarit se çdo muaj që bota kalon me masat karantinuese kërkesa vjetore për elektricitet reduktohet me 1.5%.

Ndërkohë, emetimet e karbonit kanë rënë në mënyrë dramatike. Emetimet e dioksidit të karbonit të lidhura me përdorimin e energjisë pritet që të bien me rreth 8% në 2020-n, niveli më i ulët ky që prej 2010-s e do të përbëjë një rënie rekord në histori, sipas ANE-së.

Birol shprehet se rënia e emetimeve si rezultat i krizës së shëndetit dhe ekonomisë që kemi kaluar nuk është diçka për t’u gëzuar.


“Pas përfundimit të krizës financiare të 2008-s ne vumë re një rritje të theksuar të emetimeve të gazrave me përmirësimin e konditave ekonomike. Me shumë gjasa diçka të ngjashme do të vemë re dhe tani”, shton Birol.

Gjithçka varet nga mënyra se si qeveritë dhe konsumatorët do të sillen me zvenitjen e pandemisë. Analiza e ANE-së tregon se qeveritë në mënyrë direkte dhe indirekte janë ato që ndikojnë me 70% në investimet e enrgjisë botërore.

Nëse ato zgjedhin të promovojnë energjitë e rinovueshme si pjesë e planeve të rimëkëmbjes atëherë kjo do të mund t’i japë një përshpejtim tranzicionit që është në rrugë e sipër. Njerëzit mund të jenë shumë ngurrues të udhëtojnë ndërkombëtarisht krahasuar me periudhën përpara shpërthimit të covid-19 si dhe puna nga shtëpia mund të bëhet më e zakonshme duke reduktuar kështu shumë trafikun e makinave.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh javën e kaluar se problemi i ngrohjes globale është diçka që duhet marrë patjetër parasysh gjatë dhënies së një zgjidhjeje të pandemisë nga koronavirusi.

“Dizenjimi i paketës ekonomike stimuluese paraqet nje oportunitet madhor për qeveritë. Ato mund të lidhin përpjekjet e tyre të rimëkëmbjeve ekonomike me tranzicionin në energjinë e pastër si dhe të drejtojnë sistemin energjitik drejt një rruge më të qëndrueshme”, shprehet Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në raportin e saj.

Burimi: CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë