Futboll

Shkurtaj ikën nga Kukësi, derbi Partizani-Tirana për sulmuesin

Rrugët e Vasil Skurtajt dhe Kukësit do të ndahen në fund të këtij sezoni. Sulmuesi me origjinë nga Vlora, i lindur në Greqi, do të veshë një fanellë tjetër sezonin e ri. Drejtori teknik i Kukësit, Nderim Nexhipi, ka pohuar se klubi nuk do të rinovojë me futbollistin 28-vjeçar, kështu që aventura e tij me verilindorët do të mbyllet pas një viti e gjysmë.

Me shumë mundësi, Shkurtaj do të qëndrojë në Superligën shqiptare, pasi për të ka një interesim serioz nga Partizani dhe Tirana. Të kuqtë nuk goditën në shenjë me sulmuesit e afruar nga jashtë për këtë sezon, ndërsa bardheblutë duken të bezdisur nga kapriçiot e anglezit Ngoo, ndaj dhe i kanë hedhur sytë te shtatlarti vlonjat. Shkurtaj luan sezonin e 4-t në elitën e futbollit shqiptar, ku në fillim veshi fanellën e Luftëtarit. Ai është një qendërsulmues tipik, i fuqishëm fizikisht, që di ta tërheqë skuadrën përpara dhe tashmë e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar.

Kukësi feston një gol të Shkurtajt. Gazeta Si, 27 maj 2020

Për këto arsye, Tirana dhe Partizani janë vënë në garë për të pasur shërbimet e Shkurtajt, i cili nuk do të ishte bast, por siguri. Këtë sezon Shkurtaj ka luajtur 22 ndeshje me Kukësin dhe ka shënuar 16 gola, por më shumë se me numrin e golave, ai i shërben skuadrës me lojën dhe peshën që mban përpara. Është në kulmin e pjekurisë si futbollist dhe tani mbetet kush do ta fitojë “derbin” për sulmuesin e afirmuar.

Për Shkurtajn ka edhe një interesim nga Greqia, nga Panathinajkosi, një emër i njohur, por aktualisht në vështirësi të mëdha financiare, ndaj dhe kjo pistë shihet me dyshim nga vetë lojtari. Sulmuesi vlonjat ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U-21, por edhe e shumë skuadrave të huaja, si Panionios, Ksanthi e Asteras Tripolis në Greqi, Aris Limasol në Qipro, Roda Kerkaze në Holandë dhe Tondela në Portugali. Tashmë duket se ka gjetur qetësi në Shqipëri dhe mbetet të shihet zgjedhja e tij: Tirana apo Partizani? Dy emra të mëdhenj dhe vendimtare me siguri do të jetë oferta financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë