Lajme

Shkupi: Ne për BE ndryshuam emrin. Mos na bllokoni negociatat

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka kërkuar që vendit të tij t’i njihet merita dhe sakrifica që bëri duke ndryshuar emrin sipas marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë për hir të integrimit në Bashkimin Europian.

“Nëse BE nuk na hap negociatat, atëherë kjo do të thotë se BE nuk e vlerëson Marrëveshjen e Prespës, pavarësisht se të gjithë thonë që kjo marrëveshje është një prej marrëveshjeve më të mira të nënshkruara në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi nga Brukseli, ku ndodhet së bashku me Kryeministrin Edi Rama për të lobuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Zaev paralajmëroi se bllokimi i Maqedonisë së Veriut do të dërgonte një mesazh negativ të fortë edhe në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

“Si mund të pritet nga Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi gjetja e një zgjidhjeje në dialogun mes tyre nëse BE nuk vlerëson më parë marrëveshjen e Prespës?”, vijoi ai.

Edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski kërkoi nga vendet e Bashkimit Europian që t’i njohin Shkupit sakrificën që bëri me nënshkrimin e marrëveshjes me Greqinë. “Ne për Bashkimin Europian ndryshuam edhe emrin”, deklaroi ai dy ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë