Libra

Shkrimtari tanzanian, Abdulrazak Gurnah fiton Nobelin në Letërsi për vitin 2021

Shkrimtari tanzanian, Abdulrazak Gurnah, ka marrë Çmimin Nobel për Letërsinë për vitin 2021.

“Romancieri tanzanian, Abdulrazak Gurnah fitoi Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2021”, u shpreh këtë të enjte organi i dhënies së çmimeve në Stokholm.

Gurnah, romanet e të cilit përfshijnë “Parajsa" dhe “Shkretëtira”, shkruan në anglisht dhe jeton në Britani.

Akademia suedeze vlerësoi Gurnahun për “depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatëve në hendekun midis kulturave dhe kontinenteve”.

Akademia e citoi “përkushtimin e tij ndaj së vërtetës”.

“Romanet e tij tërhiqen nga përshkrimet stereotipike dhe hapin shikimin tonë në një Afrikë Lindore të larmishme kulturore, të panjohur për shumë vende të tjera”, tha ndër të tjera juria.

Vepra e shkruar nga Gurnah, “Parajsa”, ishte ajo që e bëri të famshëm shkrimtarin në skenën botërore.

Ajo u shkrua prej tij pas një udhëtimi në Afrikën Lindore rreth vitit 1990 dhe tregon një histori të trishtë dashurie ku përplasen dy botë të ndryshme dhe dy sisteme besimi.

Abdulrazak Gurnah ka publikuar gjatë karrierës së tij 10 romane dhe disa tregime të shkurtra.

Ai nisi të shkruante kur ishte 21 vjeç, dhe përveç gjuhës “swahili”, anglishtja u bë gjuha e tij e dytë dhe gjuha e përdorur në veprat e tij.

I lindur në vitin 1948 dhe i rritur në Zanzibar, Gurnah mbërriti në Angli si refugjat në fund të viteve 1960. Deri para daljes në pension, ai ishte pedagog i gjuhës angleze dhe Letërsisë Postkoloniale në Universitetin e Kentit, Angli.

Çmimi jepet nga Akademia Suedeze dhe vlen 10 milionë kurora suedeze (1.14 milion dollarë).

Fituesit e kaluar kanë qenë kryesisht romancierë si Ernest Hemingway, Gabriel Garcia Marquez dhe Toni Morrison, poetë si Pablo Neruda, Joseph Brodsky dhe Rabindranath Tagore, ose dramaturgë si Harold Pinter dhe Eugene O'Neill.

Por shkrimtarët gjithashtu kanë triumfuar me trillime të shkurtra, histori, ese, biografi. Winston Churchill fitoi për kujtimet e tij, Bertrand Russell për filozofinë e tij dhe Bob Dylan për tekstet e tij. Çmimi i vitit të kaluar u fitua nga poetja amerikane Louise Gluck, një zgjedhje e pakontestueshme pas zhurmës së provokuar nga fitorja e shkrimtarit austriak Peter Handke në vitin 2019. Handke kishte mohuar gjenocidin e Srebrenicës dhe mori pjesë në funeralin e kriminelit të luftës, Slobodan Milošević.

Çmimi Nobel për letërsinë është dhënë 118 herë. Vetëm 16 nga çmimet kanë shkuar për gratë, shtatë prej atyre në shekullin 21. Në vitin 2019, akademia suedeze premtoi se çmimi do të bëhej më pak "i orientuar nga meshkujt" dhe "Eurocentric", por vazhdoi t'i jepte dy çmimet e saj të ardhshme dy evropianëve, Handke dhe shkrimtares polake Olga Tokarczuk.

Përtej çmimit dhe prestigjit, çmimi Nobel për letërsinë krijon një vëmendje të madhe për autorin fitues, duke nxitur shpesh shitjet e librave dhe duke prezantuar fituesit më pak të njohur në një publik më të gjerë ndërkombëtar.

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, sërish nuk ka mundur të triumfojë, pavarësisht se nominohet për të disatin vit nga shteti shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë