Libra

Shkrimtari francez rrëfen se ç’na mban fshehur trupi

Nëse do të më duhej ta botoja këtë ditar, do t’ua kushtoja së pari grave. Si këmbim, do të doja të lexoja ditarin që një grua do të kishte mbajtur për  trupin e saj. Sa për të parë pak më qartë në misterin femëror. Ku qëndron ky mister? Në faktin, për shembull, se një burrë nuk di asgjë për atë çka ndien një grua lidhur me formën dhe peshën e gjinjve, dhe se gratë nuk dinë asgjë për atë çka ndiejnë burrat lidhur me telashet që u nxjerr penisi...Ky fragment i shkëputur nga romani “Ditari i një  trupi”, sjell  ditarin e   një njeriu i cili përshkon të  gjithë jetën, nga mosha 12-vjeçare deri në moshën 87-vjeçare, por pa rrëfyer  detajet biografike më themelore. Ai përqendrohet te trupi i rrëfimtarit: trupi i tij fizik, dhe jo personaliteti që e mbush atë, është heroi dhe subjekti i këtij libri.Ky është romani i ri i autorit frëng, Daniel Pennac, i sjellë në shqip, me shumë mjeshtëri – ashtu si edhe romanët e tjerë të këtij autori – nga përkthyesi Edmond Tupe, nën logon e botimeve “Pegi”.

Shkrimtari Daniel Pennac

Qëllimi i rrëfimtarit të romanit “Ditari i një trupi” ishte të vërente dhe të regjistronte të papriturat e shumta, me të cilat na përball trupi ynë. Kështu, ai arriti të përshkruante gjithë evoluimin e organizmit të tij, por jo nga një pikëpamje mjekësore apo anatomike, por në mënyrë intime, duke përfshirë në çdo faqe personazhe, situata, dialogë dhe mendime që na e bëjnë këtë trup të ngjashëm me tonin. Ne që ndihemi ndonjëherë kaq të vetmuar në trupin tonë, zbulojmë pak nga pak që ky kopsht sekret, në të vërtetë, është një truall i përbashkët. Gjithçka që fshehim është shkruar këtu, e zezë në të bardhë, dhe ajo që shpesh na frikësonte, tashmë kthehet në hare.

Rrëfimi  ka të bëjë me procesin, të  gjatë sa vetë jeta, të pajtimit me trupin tonë, me këtë të huaj të brendshëm, që është njëkohësisht vetja jonë dhe një mister i përhershëm.Daniel Pennac ka shkruar më shumë se 31 vepra në të gjitha gjinitë, nga albumet për fëmijë tek esetë, te librat me ilustrime, romanet dhe autobiografitë. Me veprën autobiografike “Chagrin d’ecole”, botuar në 2007-n, ai mori çmimin Renaudot. Hoqi dorë nga profesioni i mësuesit në vitin 1995, për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë. Në shqip,  Botimet Pegi kanë sjellë edhe dy libra të  të tjerë të autorit;  romanin “Parajsa e gogolëve” dhe eseja “Si një roman”.

Në kritikën për librin, gazeta britanike “The Guardian” , shkruan “Ja pra, historia e fibrave tona, historia e njeriut që e nisi keq, vdiq e u ringjall mijëra herë dhe e mbushi jetën e tij.”Ndërsa, L’Express e ka përshkruar Pennac-un si një një shkrimtar argëtues e njëkohësisht  të aftë për të krijuar çaste bukurie të rrallë, që të lënë pa frymë; por, më shumë se gjithëkëto, ai është thjesht shkrimtari më njerëzor, më bujar dhe dashamirës ndaj qenieve të tjera njerëzore. Në “Ditari i një trupi” ka gjetur një mënyrë të re dhe frymëzuese për ta treguar këtë., Për "Le Figaro",  ky rrëfim pa tabu nuk mund të jetë i pacipë, “pasi secilit prej nesh i flet veç për trupin e tij.”                                                  .

..Ne jemi deri në fund fëmija e trupit tonë. Një fëmijë që ka humbur pusullën, shkruan Pennac. Në këtë roman, trupi vendos të na flasë, përmes penës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë