Futboll

Shkrihen akujt, Libohova: Po punojmë për zgjidhjen e situatës

Sinjale pozitive për dhënien fund bojkotit të kampionatit të futbollit. Liga Profesioniste dhe qeveria duket se po shkojnë drejt një marrëveshjeje, edhe pse palët nuk japin debate konkrete pas bisedimeve që po kryhen. Ajo që kuptohet nga deklaratat e fundit është se akujt po shkrijnë dhe java e ardhshme pritet ta gjejë Shqipërinë me futboll.

Pas një takimi të fundit me deputetin Fidel Ylli, Edvin Libohova, presidenti i Ligës Profesioniste, u shpreh më optimist për zgjidhjen e ngërçit: “E rëndësishme është që u ulëm në tavolinën e bisedimeve për kërkesat tona. Nga 4 kërkesa që kemi, 3 janë më specifike dhe më të diskutueshme. “Thembra e Akilit” është Ligji i Sponsorizimit. Ne kemi bërë një propozim, ndërsa Ministria dhe ekspertët e saj po punojnë për një zgjidhje, diçka që nuk mund ta them dot sot.

Kemi lënë një takim tjetër ditën e martë për të diskutuar variantet e mundshme dhe do të vazhdojnë deri sa të gjejmë zgjidhjen. Me presidentët e klubeve do të kem një takim ditën e hënë, ku do të diskutojmë dhe do të vendosim për të vazhduar bojkotin ose fillimin e garës. Qëndrimi i qeverisë? Është deklaruar se gjithçka mund të diskutohet, prandaj do bëjmë prapë takim ditën e martë për të dalë në një qëndrim, që i duhet të jetë brenda ligjit dhe kërkesave tona”, - tha Libohova mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë